Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Seanca është planifikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa vendimi do të bëhet i ditur veçmas për secilin prej katër të akuzuarve. Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet në shqip, anglisht dhe serbisht, me rreth dhjetë minuta vonesë. (Dhomat e Specializuara të Kosovës)
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat i kanë mohuar vazhdimisht.
Procesi gjyqësor ka zgjatur më shumë se katër vjet. Gjatë tij, Prokuroria ka paraqitur dëshmitë e mbi 100 personave dhe një numër të madh provash, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë kundërshtuar pretendimet për përgjegjësinë e të pandehurve.
Në përfundim të procesit, Prokuroria kërkoi shpalljen fajtorë dhe dënimin me burg të katër ish-krerëve të UÇK-së. Mbrojtja kërkoi rrëzimin e akuzave dhe lirimin e tyre.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se koha e nevojshme për shqyrtimin e çështjes ishte zgjatur për shkak të vëllimit të provave dhe kompleksitetit të procedurës. Sipas gjykatës, kjo ishte e nevojshme për një vlerësim të plotë, të drejtë dhe të arsyetuar të materialit të administruar gjatë procesit.
Tubime në Prishtinë dhe Hagë
Shpallja e aktgjykimit është shoqëruar me aktivitete publike në mbështetje të katër të akuzuarve. Në Prishtinë është organizuar “Marshi për Liri”, ndërsa mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së janë mbledhur edhe në Hagë.
Autoritetet holandeze kanë shtuar masat e sigurisë pranë selisë së Dhomave të Specializuara, për shkak të interesit të lartë për seancën dhe pranisë së mbështetësve.
Edhe në Kosovë janë ndërmarrë masa të shtuara sigurie për aktivitetet dhe tubimet e paralajmëruara në ditën e shpalljes së vendimit.
Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë dhe nuk e përfundon domosdoshmërisht procesin gjyqësor. Si Prokuroria, ashtu edhe mbrojtja, kanë të drejtë ta apelojnë vendimin sipas procedurave të Dhomave të Specializuara.


