Iran mohon sulmet ndaj EBA-së, tensionet rriten pas përplasjes me paralajmërimet e Teheranit dhe Uashingtonit
Ushtria iraniane ka hedhur poshtë deklaratat e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) se Teherani ka kryer sulme të reja me raketa dhe dronë ndaj territorit të tyre, në një kohë kur tensionet në Gjirin Persik mbeten të larta.
Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësi i shtabit operacional të forcave të armatosura iraniane tha se “asnjë raketë apo dron nuk është lëshuar drejt objektivave në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë ditëve të fundit”.
Megjithatë, përmes të njëjtit reagim, ai lëshoi edhe paralajmërime të forta ndaj Abu Dhabit, duke e akuzuar Emiratet se janë kthyer në një “bazë për amerikanët dhe sionistët” dhe një “armik i botës islame”. Sipas tij, çdo përdorim i territorit të EBA-së për sulme kundër Iranit do të sillte pasoja të rënda.
“Nëse do të ndërmerrej një sulm kundër Iranit nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe, autorët do të pendoheshin për këtë”, u shpreh zëdhënësi ushtarak iranian.
Deklarata vjen pas raportimeve të EBA-së se vendi ishte shënjestruar për dy ditë radhazi me sulme me raketa dhe dronë, të cilat sipas autoriteteve të Abu Dhabit u neutralizuan pjesërisht nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Situata u përshkallëzua më tej pasi sulmet e mëparshme kishin shkaktuar zjarr në një depo nafte në portin e Fujairahut, një zonë strategjike në Gjirin e Omanit.
Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka kërcënuar me përgjigje të ashpër ndaj Iranit, duke rritur më tej shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në rajon.







