×
Wednesday, May 6, 2026

Policia Rrugore ashpërson kontrollet në të gjithë vendin, Ziu: 22 radarë të kalibruar, dronë dhe ndëshkime në kohë reale në e-Albania

May 6, 2026


Policia Rrugore ka vendosur masa të reja dhe më të forta për të rritur sigurinë në rrugë dhe për të ulur numrin e aksidenteve, përmes një sistemi të zgjeruar monitorimi dhe ndëshkimi të shkeljeve të qarkullimit.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, bëri të ditur se tashmë janë kalibruar 22 mjete shpejtësimatëse, ndërsa të gjitha strukturat e Policisë Rrugore janë pajisur me dronë, kamera, aparate fotografike, alkooltestues dhe drogëtestues.

Sipas tij, këto pajisje do të shërbejnë për monitorim më të saktë të akseve rrugore, sidomos në rrugët interurbane, ku shkeljet do të evidentohen në kohë reale dhe do të pasqyrohen menjëherë në sistemin e-Albania si masa administrative.

Ziu theksoi se në akset nacionale, policia do të fokusohet në kontrollin për shpejtësinë e lartë, parakalimet e rrezikshme, manovrat agresive dhe çdo sjellje që përbën rrezik për aksidente. Ndërhyrja e patrullave do të bëhet vetëm në raste sjelljesh të rënda, ndërsa monitorimi i zakonshëm do të realizohet përmes pajisjeve teknologjike dhe qendrës kombëtare të trafikut.

Në zonat urbane, kontrollet do të përqendrohen në përdorimin e alkoolit, shpejtësinë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe mosmbajtjen e kaskës për motomjetet. Po ashtu, vëmendje e shtuar do t’i kushtohet edhe parkimeve të gabuara, përfshirë përdorimin e mjeteve ngritëse për heqjen e automjeteve që bllokojnë qarkullimin.

Sipas analizës së 4-mujorit të vitit 2026, janë vendosur mbi 160 mijë masa për parkime të gabuara, 82 mijë për shpejtësi mbi normat e lejuara, 60 mijë për mungesë të rripit të sigurimit ose përdorim telefoni gjatë drejtimit, si dhe 27 mijë për parakalime të gabuara. Po ashtu, mbi 1000 drejtues mjetesh janë arrestuar për drejtim në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.

Ziu nënvizoi se një numër i konsiderueshëm drejtuesish nuk kanë më pikë në lejen e drejtimit dhe do t’i nënshtrohen testimit nga e para, ndërsa shpejtësia mbetet shkaku kryesor i aksidenteve me pasoja fatale.

Ai shtoi se policia ka identifikuar edhe drejtues me shkelje të përsëritura, të cilët do të monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.

Në fund, Policia Rrugore apeloi për respektim të rregullave të qarkullimit, duke paralajmëruar ndëshkime maksimale për çdo sjellje agresive në rrugë, me qëllim rritjen e sigurisë së jetës për të gjithë përdoruesit e rrugës.




Comments are closed.