Gjermania dhe Izraeli rrisin presionin ndaj Iranit pas sulmeve në Emiratet e Bashkuara Arabe
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul ka bërë thirrje për rikthimin e Iranit në tryezën e negociatave, pas sulmeve me raketa dhe dronë ndaj Emiratet e Bashkuara Arabe, duke paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm në rajon.
Duke folur në Berlin në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar, Johann Wadephul u shpreh se Irani duhet të pranojë urgjentisht ofertat për dialog dhe të shmangë veprimet që mund të çojnë në një konflikt më të gjerë.
“Ne i bëjmë thirrje Iranit të mos e teprojë me kartat e tij,” tha ai, duke shtuar se Gjermania dënon sulmet e fundit dhe kërkon ulje të tensioneve në mënyrë të menjëhershme.
Wadephul theksoi gjithashtu se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore dhe duhet të heqë dorë nga programi i raketave balistike, duke i cilësuar këto si faktorë destabilizues për rajonin dhe më gjerë.
Nga ana e tij, ministri izraelit Gideon Sa’ar i cilësoi sulmet ndaj Emiratet e Bashkuara Arabe si provë e rrezikut që, sipas tij, paraqet regjimi iranian, duke kërkuar masa të forta për të parandaluar pajisjen e Teheranit me armë bërthamore.
Sulmet e fundit kanë shkaktuar zjarr të madh në një depo nafte në portin strategjik të Fujairahut, një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë.
Ndërkohë, situata në rajon mbetet e tensionuar, pasi Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se ka lëshuar raketa drejt anijeve amerikane si paralajmërim, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak.







