×
Wednesday, May 6, 2026

Rama: Digjitalizimi i arsimit dhe bashkëpunimi me AADF, hap drejt ekselencës në shërbimet arsimore

May 6, 2026


Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar marrëveshjen e re të nënshkruar mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që synon modernizimin e sistemeve të vlerësimit dhe thellimin e transformimit digjital në arsimin shqiptar.

Marrëveshja u firmos në ambientet e Piramidës së Tiranës dhe parashikon përfshirjen e ekspertizës ndërkombëtare, përfshirë Universitetin e Cambridge, me qëllim përafrimin e standardeve të sistemit arsimor shqiptar me praktikat më të avancuara ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te rëndësia e përdorimit të teknologjisë në administrimin e shërbimeve arsimore, duke e cilësuar atë si një mjet që garanton transparencë dhe meritokraci.

Ai solli si shembull digjitalizimin e provimeve të pranimit në universitet, duke theksuar se sistemi i bazuar në rezultate eliminoi, sipas tij, hapësirat për ndikime të jashtme apo praktika abuzive.

“Procesi u bazua në fakte dhe teknologji, jo në ndërhyrje njerëzore,” u shpreh Rama, duke shtuar se kjo qasje solli reduktim të ndjeshëm të ankesave dhe rritje të besimit në sistem.

Kreu i qeverisë theksoi se marrëveshja e re vendos teknologjinë në shërbim të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, e cila sipas tij ofron rreth 150 mijë deri në 160 mijë shërbime në vit, duke përfshirë matrikullime, regjistrime, njehsime diplomash, provime shteti dhe testime kombëtare.

Rama shtoi se procesi i digjitalizimit ka hasur fillimisht rezistencë dhe skepticizëm brenda administratës, por sipas tij, reformat kanë avancuar pavarësisht kundërshtive.

“Edhe këto shërbime iu dorëzuan ekselencës,” deklaroi ai, duke e lidhur këtë reformë me një qasje më të gjerë të transformimeve në arsim dhe trashëgimi kulturore, përfshirë edhe projektet në Butrint.




Comments are closed.