“Automotive Fair Albania” rikthehet në Tiranë, spektakël makinash dhe inovacioni më 21–24 maj
Në Tiranë rikthehet edicioni i katërt i “Automotive Fair Albania”, një nga eventet më të mëdha të dedikuara botës së automjeteve dhe teknologjisë, i cili do të zhvillohet në datat 21–24 maj.
Panairi, që këtë vit vjen nën moton “Fueled by Passion”, pritet të sjellë sërish në kryeqytet atmosferën dinamike të ekspozimit të makinave, inovacionit dhe performancave të ndryshme që kanë karakterizuar edicionet e mëparshme.
Organizatorët bëjnë të ditur se aktiviteti do të zhvillohet në të njëjtën hapësirë të viteve të kaluara, duke ofruar një program të pasur me ekspozime, aktivitete interaktive dhe surpriza për publikun e gjerë, veçanërisht për të apasionuarit pas industrisë automotive.
Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është pjesëmarrja për herë të parë në Shqipëri e “Stunt Street Show”, një performancë ndërkombëtare me figura të njohura në spektaklet e makinave, e cila pritet të jetë një nga atraksionet më të ndjekura të eventit.
Gjithashtu, në kuadër të panairit do të zhvillohet gara “Best Young Drivers”, ku të rinjtë më të talentuar në drejtimin e automjeteve do të garojnë për një mundësi përfaqësimi të Shqipërisë në evente ndërkombëtare të kësaj fushe.
“Automotive Fair Albania” synon të promovojë industrinë automotive, inovacionin dhe talentin e ri, duke u kthyer në një platformë takimi mes profesionistëve, kompanive dhe entuziastëve të teknologjisë dhe makinave në Shqipëri dhe më gjerë.







