SHBA–BE, Landau: Duhet një ekuilibër i ri ekonomik mes dy anëve të Atlantikut
Zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-së Christopher Landau deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të arrijnë një “ekuilibër të ri” në marrëdhëniet e tyre ekonomike, duke e cilësuar këtë ndryshim si të vonuar në kushtet e tensioneve tregtare mes dy partnerëve.
Duke folur në Samitin e Investimeve SelectUSA në Merilend, ai theksoi se marrëdhëniet transatlantike mbeten thelbësore, por sipas tij struktura aktuale e bashkëpunimit ekonomik nuk është më e balancuar.
“Unë mendoj se në fund SHBA-ja dhe Evropa do të duhet të arrijnë një ekuilibër të ri… mendoj se kjo është e vonuar”, u shpreh Christopher Landau.
Ai shtoi se Evropa mbetet një partner i rëndësishëm tregtar për SHBA-në, ashtu si edhe SHBA-ja për ekonomitë evropiane, por ngriti shqetësime për ndikimin e rregulloreve evropiane mbi kompanitë amerikane, veçanërisht në sektorin digjital dhe teknologjik.
Sipas tij, administrata amerikane synon të promovojë tregti “të drejtë”, duke theksuar se në vitet e fundit SHBA-ja ka mbajtur një barrë të konsiderueshme në raport me partnerët e saj.
Deklaratat vijnë në një moment kur diskutimet për tarifat, rregullimet tregtare dhe sigurinë ekonomike mes SHBA-së dhe BE-së janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në axhendën ndërkombëtare.







