Bashkëpunimi me OKB-në në fokus, Salla: Bujqësia shqiptare drejt standardeve të BE-së
Andis Salla zhvilloi sot një takim me Koordinatoren e Përhershme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald, ku u rikonfirmua vijimësia e bashkëpunimit në mbështetje të bujqësisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore.
Në fokus të diskutimeve ishin prioritetet kryesore të sektorit, si përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian, avancimi i procesit të digjitalizimit, menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore, si dhe forcimi i rolit të grave dhe të rinjve në zonat rurale.
Ministri Salla vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të sistemit të OKB-së në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një partner të rëndësishëm në modernizimin e bujqësisë dhe në rrugën e integrimit evropian të vendit.
“Partneriteti me OKB-në është një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e sektorit dhe për avancimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Salla.







