Garda Revolucionare e Iranit tha se Ismail Haniyeh dhe një nga truprojat e tij u vranë në Teheran, njoftuan mediat shtetërore iraniane, sipas “Sky News”.
“Udhëheqësi më i lartë politik i Hamasit, Ismail Haniyeh është vrarë në Iran”, konfirmoi sot garda.
Garda Revolucionare e Iranit tha se Haniyeh dhe një nga truprojat e tij u vranë në kryeqytetin, Teheran – rreth orës 2 të mëngjesit.
Në një deklaratë, Hamasi tha se ai u vra në një bastisje të pabesë sioniste në rezidencën e tij në Teheran.
“Vrasja është një akt frikacak që nuk do të mbetet i pandëshkuar”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Moussa Abu Marzouk – citoi televizioni Al-Aqsa.
Haniyeh ndodhej në Iran ku pritej të merrte pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të vendit, Masoud Pezeshkian.
Garda Revolucionare tha se shkaku i vdekjes së tij ishte nën hetim dhe do të njoftohej së shpejti.
Hamasi më vonë tha se Haniyeh u vra në një sulm ajror – duke fajësuar Izraelin.
Haniyeh u largua nga Rripi i Gazës në vitin 2019 – dhe që atëherë kishte jetuar në mërgim në Katar.
Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për vdekjen, por Izraeli ishte zotuar të vriste Haniyeh dhe udhëheqësit e tjerë të Hamasit – pasi grupi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng 250 të tjerë


