Kuvendi miratoi projektligjin për buxhetin e vitit 2027 me 80 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim, pas një seance plenare maratonë që zgjati 17 orë dhe përfundoi në orën 03:30 të mëngjesit.
Krahas buxhetit, deputetët miratuan një paketë të gjerë nismash ligjore që përfshijnë ndryshime fiskale, organizimin e tubimeve, mbikëqyrjen financiare, tregjet e kriptoaseteve, arsimin, sponsorizimet dhe kontrollin e punimeve të ndërtimit.
Përpara votimit të buxhetit, Kuvendi miratoi pesë projektligjet që përbëjnë paketën fiskale. Ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat morën 80 vota pro dhe 21 kundër, ato për TVSH-në 78 vota pro dhe 21 kundër, ndërsa ndryshimet në procedurat tatimore u miratuan me 80 vota pro dhe 23 kundër. Projektligji për taksat kombëtare mori 80 vota pro dhe 20 kundër, ndërsa ai për akcizat 78 vota pro dhe 18 kundër.
Debate ndërmjet mazhorancës dhe opozitës shoqëruan shqyrtimin e dy akteve normative për organizimin e tubimeve dhe shpërblimin e dëmeve civile të shkaktuara gjatë akteve të dhunshme. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, mbrojti ndryshimet, duke theksuar detyrimin e Policisë së Shtetit për të garantuar protestat paqësore dhe për të mbrojtur institucionet e pronën private. Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, e cilësoi aktin antidemokratik dhe kërkoi llogaridhënie për dhunën policore.
Akti normativ për tubimet u miratua me 79 vota pro dhe 21 kundër, ndërsa ai për shpërblimin e dëmeve civile mori 80 vota pro dhe 20 kundër.
Kuvendi miratoi gjithashtu projektligjin për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”. Nisma, e mbështetur në bashkëpunimin ndërmjet qeverive shqiptare dhe franceze, synon modernizimin e arsimit parauniversitar, me fokus shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe inovacionin.
Në sektorin financiar, projektligji për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve që janë pjesë e konglomerateve financiare u miratua me 77 vota pro, një kundër dhe një abstenim. Ndërkohë, projektligji për tregjet e kriptoaseteve, që përcakton kuadrin rregullator për emetimin, ofrimin dhe tregtimin e tyre, mori 80 vota pro dhe një abstenim.
Me 81 vota pro, pa asnjë kundër apo abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin për donacionet dhe sponsorizimet, i cili përcakton rregullat për dhënien, përfitimin dhe administrimin e tyre. Gjithashtu, me nga 79 vota pro u miratuan projektligji për kontabilitetin në sektorin publik dhe ndryshimet në ligjin për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit.
Deputetët miratuan edhe ndryshimet në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual, që lidhen me sigurinë detare, inspektimin e anijeve dhe parandalimin e ndotjes, si dhe shtesën në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Gjatë seancës u miratua edhe lirimi i Gentian Salës nga detyra e anëtarit dhe kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me 79 vota pro dhe një abstenim.
Kuvendi mbajti gjithashtu një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Ylli Ziçishti, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor 2026.


