De Sousa: Ballkani Perëndimor nuk është periferia, por e ardhmja e Evropës

26 Nov 2026 • 15:19
Shpërndaje:

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Moreira de Sousa, deklaroi gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor në Tiranë se investimet në rajon përbëjnë një mundësi strategjike për forcimin e konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe prosperitetit të ekonomisë evropiane.

Ambasadorja theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe konkurrueshmëria ekonomike nuk duhet të konsiderohen si dy agjenda të ndara, por si pjesë e një ambicieje të përbashkët për ndërtimin e një Evrope më të fortë.

“Ju nuk jeni periferia e Evropës, ju jeni e ardhmja e Evropës. Ju jeni pjesë e Evropës dhe pjesë e të ardhmes së Evropës. Investimi në Ballkanin Perëndimor do të thotë të investojmë në konkurrueshmërinë e Evropës”, deklaroi de Sousa.

Reklamë Ola

Sipas saj, afërsia gjeografike, potenciali sipërmarrës, kapacitetet industriale dhe kapitali njerëzor i rajonit përbëjnë avantazhe të rëndësishme për forcimin e bazës industriale evropiane, përshpejtimin e inovacionit, diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit dhe sigurimin e aksesit në energji të pastër dhe të përballueshme.

De Sousa bëri thirrje për përshpejtimin e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në tregun unik evropian, duke theksuar se qytetarët dhe bizneset duhet të përfitojnë nga procesi i integrimit edhe përpara anëtarësimit të plotë në BE.

Reklamë InterMedika

Duke iu referuar Shqipërisë, ambasadorja bëri të ditur se Bashkimi Evropian ka ofruar mbi 880 milionë euro mbështetje për sektorin publik dhe ka mobilizuar 8,4 miliardë euro investime.

Ajo nënvizoi se transformimi ekonomik i rajonit kërkon jo vetëm financime publike, por edhe reforma të qëndrueshme, forcimin e shtetit të së drejtës, përmirësimin e klimës së investimeve dhe angazhimin aktiv të sektorit privat.

Në këtë kuadër, BE-ja po mbështet projekte në infrastrukturë, ndërlidhjen rajonale, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, përfshirë dekarbonizimin e industrisë së çimentos dhe zhvillimin e modeleve inovative të investimit në infrastrukturën digjitale.

Ambasadorja shprehu gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të rritur më tej mbështetjen ndaj rajonit, duke kërkuar që konferenca të përkthehet në investime konkrete dhe partneritete afatgjata.

“Koha për të vepruar është tani”, përfundoi de Sousa, duke theksuar se integrimi ekonomik i rajonit kërkon besimin e investitorëve, angazhimin e bizneseve dhe vullnetin politik për zbatimin e reformave.