Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i japë sa më parë Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim, duke theksuar se ky vendim është vonuar prej kohësh.
Në një prononcim për mediat, gjatë mbërritjes në samitin BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti deklaroi se Kosova nuk kërkon trajtim preferencial, por vlerësimin e progresit të arritur në zhvillimin demokratik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Presim statusin e vendit kandidat për vendin tonë. Është vonuar prej kohësh. Kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE dhe jemi i vetmi vend pa statusin e kandidatit. Nuk po kërkojmë favore, por njohjen e përparimit të Kosovës, të zhvillimit demokratik, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe luftës kundër korrupsionit”, u shpreh Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës nënvizoi se zhvillimet politike në Evropë e bëjnë edhe më urgjente avancimin e procesit të zgjerimit, duke kërkuar që BE-ja të shfrytëzojë momentin aktual për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Statusi i vendit kandidat jo vetëm që është shumë i rëndësishëm, por është edhe çështje urgjente. Çdo muaj ka zgjedhje në kontinentin tonë dhe çdo gjë ka rëndësi”, deklaroi ai.
Kurti ritheksoi se avancimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian duhet të mbështetet në parimin e meritës, ndërsa shprehu pritshmëritë për një dialog konstruktiv me liderët evropianë mbi të ardhmen e procesit të integrimit.

