Tirana është kthyer për dy ditë në një pikë takimi ndërmjet kapitalit evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mbi 600 investitorë, sipërmarrës dhe përfaqësues të institucioneve evropiane e financiare ndërkombëtare janë mbledhur në Pallatin e Kongreseve, në kuadër të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor.
Në fjalën hapëse, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, propozoi zhvillimin e një projekti rajonal për investime plotësuese, me vlerësim teknik nga Komisioni Evropian.
Nisma synon të lidhë burimet natyrore, energjinë e pastër, kërkimin shkencor dhe kapacitetet prodhuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor me nevojat e industrisë evropiane, duke rritur konkurrueshmërinë e rajonit.
“Ne duam që investimet e huaja të lënë një gjurmë afatgjatë në ekonomi, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara”, deklaroi Ibrahimaj.
Drejtorja e Përgjithshme e DG GROW në Komisionin Evropian, Kerstin Jorna, vlerësoi integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian si një mundësi për lehtësimin e aktivitetit të bizneseve dhe tërheqjen e investimeve të reja.
“Integrimi gradual është avash-avash, por jo dhe shumë avash. Do të bëhet hap pas hapi, sektor pas sektori”, u shpreh Jorna, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive konkrete për bizneset e rajonit në tregun evropian.
Ndërkohë, themeluesi dhe kryetari i Berlin Global Dialogue, Lars-Hendrik Röller, vlerësoi situatën ekonomike të Ballkanit Perëndimor, por nënvizoi se potenciali i rajonit duhet të shoqërohet me projekte konkrete dhe bindëse për investitorët privatë.
Në qendër të konferencës dyditore janë perspektiva makroekonomike e rajonit, sipërmarrjet inovative, teknologjitë e pastra, kapitali njerëzor dhe konkurrueshmëria industriale.
Konferenca vijon të enjten me diskutime mbi zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe politikat industriale, ndërsa në përmbyllje pritet të mbajnë fjalën kryeministri Edi Rama dhe komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.


