Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, që zhvillohet në Bruksel, nën drejtimin e presidentit të Këshillit Evropian, António Costa.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, samiti mbledh liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me synim forcimin e partneritetit strategjik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të rajonit.
Në qendër të takimit të nivelit të lartë do të jenë perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, progresi në zbatimin e reformave kyçe dhe përmbushja e angazhimeve në kuadër të procesit të integrimit.
Samiti shërben gjithashtu si një mundësi për riafirmimin e angazhimit të Bashkimit Evropian ndaj politikës së zgjerimit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve evropiane dhe vendeve të rajonit.
Pjesëmarrja e kryeministrit Rama në këtë takim vjen në një fazë të rëndësishme të procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.


