Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Bruksel, në një samit që synon të riafirmojë perspektivën evropiane të rajonit dhe të përshpejtojë procesin e integrimit, në varësi të përmbushjes së reformave të nevojshme.
Takimi do të drejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në samit pritet të marrin pjesë përfaqësuesit e pesë prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.
Serbia ka konfirmuar mospjesëmarrjen, duke bojkotuar për herë të dytë radhazi samitin në Bruksel. Sipas diplomatëve evropianë, mungesa e Beogradit rrit mundësinë që Serbia të mos pajtohet me deklaratën përfundimtare të takimit.
Në draft-deklaratën e samitit, liderët evropianë riafirmojnë përkushtimin ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.
“Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, i bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe të rreptë dhe parimin e meritave individuale, është në interesin tonë të përbashkët”, thuhet në dokument.
Bashkimi Evropian u kërkon vendeve të rajonit të përshpejtojnë reformat në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore. Dokumenti dënon gjithashtu glorifikimin e kriminelëve të luftës, mohimin e gjenocidit dhe revizionizmin historik, duke kërkuar respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore për krimet e luftës.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në draft-deklaratë theksohet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve vazhdon të pengojë përparimin evropian të të dyja palëve, ndërsa kërkohet angazhim konstruktiv dhe zbatim i plotë i marrëveshjeve të arritura.
Brukseli rikujton gjithashtu se mbështetja financiare në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet me përparim të matshëm dhe rezultate konkrete në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Një tjetër çështje e rëndësishme mbetet përafrimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Sipas zyrtarëve evropianë, Serbia mbetet i vetmi vend i rajonit që nuk është përafruar plotësisht me këtë politikë, me një nivel përafrimi prej rreth 59%.
Në deklaratë riafirmohet edhe mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, të shoqëruar me garanci të besueshme sigurie.
Samiti zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Malin e Zi, i cili synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026 dhe të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2028. Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, Traktati i Anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027.
Megjithatë, mosmarrëveshjet dypalëshe me Kroacinë, e cila aktualisht po pengon mbylljen e tre kapitujve negociues, mund të ndikojnë në realizimin e këtij objektivi.
Presidenti malazez, Jakov Milatović, përmes një letre drejtuar krerëve të institucioneve evropiane, ka paralajmëruar se kushtëzimi i procesit të zgjerimit me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe do të përbënte një humbje strategjike për BE-në.
Ai u ka bërë thirrje liderëve evropianë të tregojnë vendosmëri dhe vizion strategjik, duke rikujtuar angazhimin e marrë në Samitin e Selanikut të vitit 2003 dhe duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor.


