Franca është e gatshme të dërgojë një përfaqësues në Moskë për bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë për përfundimin e luftës në Ukrainë, por kërkon si parakusht pjesëmarrjen e plotë të Evropës në negociatat për një marrëveshje paqeje.
Një përfaqësues i ambasadës franceze në Rusi deklaroi të mërkurën se Parisi e vlerëson pozitivisht ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin, drejtuar zyrtarëve evropianë, por kërkon garanci se Evropa nuk do të kufizohet në një rol dytësor.
“Ne duhet të marrim konfirmim se Evropa do të ketë një vend të plotë në tryezën e negociatave për të zgjidhur çështjen ukrainase”, deklaroi diplomati francez, duke përsëritur qëndrimin e shprehur më parë nga Pallati Elize.
Qëndrimi i Parisit vjen në një kohë kur qeveritë evropiane po shqyrtojnë mundësinë e rivendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta me Moskën, duke synuar të kenë një rol në vendimet që do të përcaktojnë të ardhmen e Ukrainës dhe arkitekturën e sigurisë së kontinentit pas luftës.
Më 19 nëntor, gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Kinë, Putin ftoi zyrtarët evropianë të vizitonin Moskën për të diskutuar çështjet e sigurisë rajonale.
“Ne nuk jemi kundër pjesëmarrjes evropiane, por duhet të kuptojmë se çfarë do të sjellë Evropa në këto bisedime”, ishte shprehur presidenti rus.
Sipas informacioneve të raportuara, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë shqyrtuar mundësinë e një vizite të përbashkët në Moskë, ku këshilltarët e sigurisë kombëtare të tri vendeve mund të zhvillojnë kontakte paraprake me përfaqësuesit rusë.
Megjithatë, deri më tani nuk është përcaktuar asnjë datë dhe as përbërja e delegacionit të mundshëm evropian.


