Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka evidentuar ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare gjatë fjalës së saj në hapjen e Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë.
Sipas Ibrahimajt, ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 3,6% në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 1,14 miliardë euro, duke regjistruar një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konferenca përfaqëson një platformë strategjike për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve dhe përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian.
Në fokus të aktivitetit është identifikimi i projekteve konkrete të investimeve ndërkufitare dhe forcimi i integrimit industrial të vendeve të rajonit.
Ibrahimaj nënvizoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk përfaqëson vetëm zgjerimin e tregut, por edhe një mundësi për rritjen e kapaciteteve industriale, prodhuese dhe konkurruese të Evropës.
Konferenca, e cila zhvillohet më 25 dhe 26 nëntor në Tiranë, mbledh mbi 600 investitorë dhe përfaqësues të institucioneve evropiane e ndërkombëtare, me synim krijimin e partneriteteve të reja ekonomike dhe tërheqjen e investimeve në rajon.


