Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në mbrëmjen festive të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në aktivitet morën pjesë Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, kardinali shqiptar Ernest Simoni, përfaqësues të trupit diplomatik dhe miq të Shqipërisë.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte prezantimi i pullës së përbashkët postare kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, në kuadër të 35-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si simbol i lidhjeve të thella historike mes dy vendeve.
Në fjalën e tij, ministri Hoxha përcolli mesazhin e Shqipërisë për harmoninë ndërfetare, dialogun dhe paqen, duke nënvizuar rëndësinë e diplomacisë në përballimin e sfidave ndërkombëtare.
“Në një kohë pasigurie të shtuar, tensionesh, luftërash, konfliktesh dhe vuajtjesh, diplomacia e duruar, këmbëngulëse dhe e palodhur në kërkim të paqes nuk është luks. Është domosdoshmëri”, theksoi Hoxha.
Kremtimi i festës kombëtare në Vatikan solli në vëmendje marrëdhëniet historike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si dhe vlerat e bashkëjetesës ndërfetare, dialogut dhe paqes.


