Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi në Prishtinë pritjen tradicionale me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit, duke mbledhur drejtues të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të politikës, trupit diplomatik dhe personalitete të jetës publike.
Në fjalën e tij, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, kujtoi kontributin e Kosovës në aktin historik të shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, duke e cilësuar atë si dëshmi të aspiratës së përbashkët për liri dhe shtetësi.
“Sot, më shumë se një shekull më vonë, ky flamur na kujton jo vetëm nga vijmë, por mbi të gjitha çfarë përgjegjësie kemi përpara brezave që vijnë”, deklaroi Malaj.
Ambasadori theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës burojnë nga historia, gjuha dhe trashëgimia e përbashkët, ndërsa nënvizoi rëndësinë e shndërrimit të kësaj lidhjeje në bashkëpunim konkret dhe zhvillim.
Ai riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe integrimin e plotë në institucionet euroatlantike.
Malaj përcolli gjithashtu një mesazh lamtumire në përfundim të misionit të tij diplomatik në Kosovë, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin institucional, mikpritjen dhe marrëdhëniet e krijuara gjatë qëndrimit në Prishtinë.
Gjatë ceremonisë, presidentja e Kosovës nënvizoi rëndësinë historike të flamurit kombëtar dhe kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ajo theksoi se 28 Nëntori për Kosovën përbën një festë të katërfishtë, pasi shënon Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e Adem Jasharit dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cilësoi marrëdhëniet me Shqipërinë si vëllazërore dhe strategjike, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore.
Kurti bëri të ditur se ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë nënshkruar, zbatuar ose janë në proces zbatimi gjithsej 190 marrëveshje, që përfshijnë arsimin, ekonominë, energjinë, infrastrukturën, bujqësinë, shëndetësinë, sigurinë, kulturën dhe diasporën.
Kreu i qeverisë së Kosovës riafirmoi gjithashtu synimin për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë.


