Turizmi detar vijon në Sarandë, kroçiera “Astoria Grande” sjell 278 turistë

24 Nov 2026 • 15:36
Shpërndaje:

Saranda vijon të mirëpresë turistë ndërkombëtarë edhe në fund të nëntorit, duke zgjatur sezonin e turizmit detar përtej muajve të verës.

Kroçiera luksoze “Astoria Grande” mbërriti në orët e para të mëngjesit të sotëm në portin e qytetit bregdetar, me 278 turistë të kombësive të ndryshme në bord.

Sipas Portit të Sarandës, gjatë qëndrimit të tyre, vizitorët do të kenë mundësinë të eksplorojnë destinacionet turistike dhe kulturore të qytetit dhe zonave përreth, duke u njohur me pasuritë natyrore, trashëgiminë historike dhe traditat e jugut të Shqipërisë.

Reklamë Ola

“Kroçierat përbëjnë një mundësi të rëndësishme për promovimin e rivierës shqiptare në tregjet ndërkombëtare, duke sjellë vizitorë të rinj dhe duke kontribuar në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale”, thekson Porti i Sarandës.

Mbërritja e kroçierave në këtë periudhë reflekton interesin e operatorëve ndërkombëtarë për bregdetin shqiptar edhe jashtë sezonit veror, duke krijuar mundësi për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

Reklamë InterMedika

Prania e vizitorëve të huaj kontribuon gjithashtu në aktivitetin e operatorëve turistikë, sektorit të gastronomisë dhe bizneseve lokale, duke mbështetur ekonominë e qytetit edhe gjatë muajve të vjeshtës.

Gjatë nëntorit, Saranda mirëpriti për herë të parë edhe kroçierën luksoze “Explora 2”, me 729 turistë të kombësive të ndryshme në bord.