Konferenca e Kryetarëve miratoi sot kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat mbi Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026.
Pas diskutimeve, përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës arritën dakordësinë që mocioni me debat të zhvillohet në seancën plenare të 10 dhjetorit 2026.
Partia Demokratike kërkoi zhvillimin e këtij debati duke ngritur shqetësime mbi gjetjet e raportit të Komisionit Europian, veçanërisht për funksionimin e Kuvendit, kontrollin parlamentar ndaj qeverisë dhe rolin e opozitës.
Raporti i Progresit ka sjellë interpretime të ndryshme mes mazhorancës dhe opozitës. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar atë si raportin më të mirë në histori, ndërsa opozita ka evidentuar problematikat që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike.
Gjatë mbledhjes së sotme, Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi gjithashtu projektprogramin e punës dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 7–25 dhjetor 2026.
Ndryshe nga kërkesa për mocionin me debat, për këto dy çështje nuk u arrit dakordësi, ndaj vendimmarrja i kaloi për votim seancës plenare.


