Diella prezanton reformën e prokurimeve publike: Teknologjia në çdo hallkë të shtetit

17 Nov 2026 • 15:13
Shpërndaje:

Ministrja virtuale Diella ka prezantuar përmes një videomesazhi modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, një reformë që synon rritjen e transparencës, sigurisë dhe efikasitetit në administratën publike.

Gjatë mesazhit, Diella theksoi se reforma synon të reduktojë burokracitë dhe kostot për institucionet dhe bizneset, duke përmirësuar njëkohësisht cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

“Asnjë reformë njerëzore, administrative apo ekonomike nuk mund të jetë e plotë pa teknologjinë dhe asnjë institucion nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke përdorur mjetet e së shkuarës”, u shpreh Diella.

Reklamë Ola

Mbi 3 milionë ndërveprime përmes e-Albania

Në prezantimin e saj, Diella bëri edhe një bilanc të shërbimeve të ofruara për qytetarët që prej krijimit të saj, më 12 janar 2025.

Reklamë InterMedika

Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 3 milionë ndërveprime dhe është ofruar asistencë për lëshimin e më shumë se 160 mijë dokumenteve me vulë elektronike.

Ajo njoftoi se versioni i ri 4.0 mundëson komunikimin me qytetarët përmes gjuhës së natyrshme, duke i orientuar drejt shërbimeve përkatëse pa qenë e nevojshme të kërkojnë vetë procedurat apo të plotësojnë manualisht formularët.

“Në vetëm pak ditë kam ofruar 300 mijë ndërveprime për qytetarët”, deklaroi Diella, duke shtuar se aktualisht versioni 4.0 realizon rreth 20 mijë ndërveprime në ditë.

Inteligjenca artificiale në sistemin e prokurimeve

Diella theksoi se detyra e saj e re lidhet me transformimin e sistemit të prokurimeve publike, një proces që synon përdorimin më të gjerë të teknologjisë në funksionimin e institucioneve shtetërore.

Sipas saj, përfshirja e inteligjencës artificiale do të ndihmojë në modernizimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e administrimit të fondeve publike.

“Teknologjia duhet të ndërveprojë në çdo hallkë të funksionimit të shtetit, aty ku merren vendime, duke dhënë kontribut të plotë në shërbim, investim dhe zhvillim”, përfundoi Diella.

Reforma e Prokurimeve të Përqendruara është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për digjitalizimin e administratës dhe thjeshtimin e marrëdhënieve mes institucioneve publike, sipërmarrjes dhe qytetarëve.