Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, së bashku me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, vizituan Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku inspektuan investimet e realizuara dhe diskutuan me stafin mjekësor për zgjerimin e shërbimeve shëndetësore.
Gjatë vizitës, Spahiu theksoi se modernizimi i spitalit nuk do të kufizohet vetëm në përmirësimin e infrastrukturës, por do të shoqërohet edhe me shtimin e shërbimeve të specializuara për qytetarët.
Sipas saj, spitali disponon katër salla kirurgjie, të cilat synohet të vihen në funksion për specialitete të ndryshme, përfshirë ortopedinë, kirurgjinë e përgjithshme, otorinolaringologjinë (ORL) dhe okulistikën.
“Ky spital ka një strukturë me standarde të krahasueshme me ato që ofrohen në vende të Europës. Në kuadër të strategjisë së zhvillimit të shërbimeve shëndetësore, ky spital mund të shndërrohet në një qendër kombëtare për traumatologjinë dhe ortopedinë, me potencial për të ofruar shërbime edhe për rajonin”, deklaroi Spahiu.
Riorganizimi i spitaleve dhe plani 10-vjeçar për personelin mjekësor
Duke iu referuar projektbuxhetit të vitit 2027, ministrja bëri të ditur se po ndiqet një qasje e re për organizimin e spitaleve, bazuar në analizën e kapaciteteve dhe nevojave të secilit institucion.
Ajo theksoi se synimi nuk është mbyllja e spitaleve që kanë shfrytëzim më të ulët të kapaciteteve, por përshtatja e tyre me nevojat e qytetarëve.
“Ne nuk duam të mbyllim spitalin, por ta formatojmë atë”, u shpreh Spahiu.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte hartimi i Planit Kombëtar 10-vjeçar për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Shëndetësi, i cili po përgatitet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.
Plani synon të adresojë mungesat e personelit të specializuar dhe të forcojë kapacitetet e sistemit shëndetësor. Në këtë kuadër, parashikohet t’i kushtohet vëmendje e veçantë rritjes së kuotave të mbuluara për mjekët specializantë.
Nga ana e saj, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vlerësoi investimet në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kapaciteteve shëndetësore edhe në spitalet e Përmetit dhe Tepelenës.
Sipas Kumbaros, investimet në godina dhe pajisje moderne duhet të shoqërohen me investime në burimet njerëzore, për të garantuar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme.
Spitali Rajonal i Gjirokastrës u shërben rreth 60 mijë banorëve të qarkut dhe ofron shërbime në urgjencë, kirurgji, pediatri, infektiv, radiologji dhe specialitete të tjera.
Synimi i deklaruar nga Ministria e Shëndetësisë është zgjerimi i rolit të këtij institucioni në ofrimin e shërbimeve të specializuara, duke reduktuar nevojën e pacientëve për t’u drejtuar drejt spitaleve të tjera të vendit.


