Bonusi i Bebes ndryshon në 2027, mbështetje mujore për fëmijët deri në 5 vjeç

08 Nov 2026 • 11:53
Shpërndaje:

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka njoftuar se në projektbuxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 50 milionë euro për reformimin e skemës së Bonusit të Bebes, e cila synon të shndërrohet në një mbështetje mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeç nga familjet me të ardhura të pakta.

Gjatë një aktiviteti në Korçë, ku u prezantua modeli i ri i përkujdesit për fëmijët, Spahiu bëri të ditur se skema e re parashikohet të nisë zbatimin më 1 korrik 2027.

“Me Buxhetin 2027 parashikojmë rishikimin e Bonusit të Bebes, duke e kthyer në mbështetje mujore për fëmijët deri në 5 vjeç të familjeve me të ardhura të pakta”, deklaroi ministrja.

Reklamë Ola

480 milionë lekë për zgjerimin e shërbimeve sociale

Spahiu njoftoi gjithashtu se projektbuxheti i vitit të ardhshëm parashikon 480 milionë lekë për Fondin Social, me synim mbështetjen e bashkive në ngritjen dhe zgjerimin e shërbimeve sociale në nivel vendor.

Reklamë InterMedika

Ndërkohë, për 28 institucionet e përkujdesit shoqëror janë planifikuar 1.4 miliardë lekë.

Ministrja theksoi se këto masa janë pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale dhe forcimin e mbështetjes për fëmijët dhe familjet në nevojë.

Model i ri përkujdesi, fëmija dhe familja në qendër

Duke u ndalur te reforma e shërbimeve të përkujdesit, Spahiu shpjegoi se synimi është kalimi gradual nga kujdesi institucional drejt shërbimeve të bazuara te familja dhe komuniteti.

“Me ligjin e ri për kujdesin alternativ dhe Planin e Garancisë për Fëmijët 2026–2030, po ndërtojmë një sistem që vendos fëmijën dhe familjen në qendër të politikave sociale”, u shpreh ajo.

Ministrja vlerësoi Korçën si një shembull të zbatimit të këtij modeli, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me pushtetin vendor, Bashkimin Evropian dhe UNICEF-in për zgjerimin e shërbimeve në të gjithë vendin.

“Çdo fëmijë meriton një familje. Çdo familje meriton mbështetje”, deklaroi Spahiu.

Ajo përfundoi duke nënvizuar se mbrojtja e fëmijëve dhe mbështetja e familjeve mbeten prioritete të politikave sociale, me synimin që asnjë fëmijë të mos mbetet pa përkujdesje dhe asnjë familje pa mbështetje.