Emergjencë humanitare në Gaza, Bordi i Paqes i bën thirrje Izraelit dhe Hamasit të veprojnë

09 Nov 2026 • 22:19
Shpërndaje:

Bordi i Paqes, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ka lëshuar një deklaratë urgjente lidhur me përkeqësimin e situatës humanitare në Rripin e Gazës, pas përmbytjeve të rënda që kanë goditur territorin gjatë dy ditëve të fundit.

Përmes një reagimi në platformën X, Bordi paralajmëroi se reshjet kanë përmbytur dhjetëra mijëra tenda dhe strehime të improvizuara, duke dëmtuar infrastrukturën dhe duke ekspozuar familjet e zhvendosura ndaj temperaturave të ulëta dhe kushteve të rrezikshme.

“Situata nuk përfaqëson më thjesht një kërcënim që vjen nga moti, por një emergjencë humanitare”, thuhet në deklaratë.

Reklamë Ola

Bordi thekson se hyrja urgjente e materialeve për strehim, pajisjeve për kanalizimet dhe kullimin e ujërave, si dhe furnizimeve për përballimin e dimrit, është thelbësore për mbrojtjen e popullsisë civile.

Thirrje Izraelit për lejimin e ndihmave humanitare

Reklamë InterMedika

Në deklaratë, Bordi i Paqes i kërkon qeverisë izraelite të autorizojë menjëherë hyrjen e materialeve të nevojshme për strehimin e përkohshëm, furnizimin me ujë dhe përmirësimin e infrastrukturës së kanalizimeve.

Sipas Bordit, përgjigjja e deritanishme e autoriteteve izraelite mbetet e pamjaftueshme, ndërsa vonesat në miratimin e furnizimeve kanë përkeqësuar pasojat e një krize humanitare të parashikueshme.

Izraelit i kërkohet gjithashtu zbatimi i plotë i angazhimeve të ndërmarra në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Paqes dhe Protokollit Humanitar të Sharm El-Sheikh.

Hamasi të çarmatoset dhe të transferojë pushtetin

Bordi i Paqes i ka drejtuar një thirrje edhe Hamasit, duke kërkuar ndërprerjen e aktiviteteve ushtarake në zonat civile, çarmatimin dhe transferimin e autoritetit qeverisës te Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).

Sipas deklaratës, moszbatimi i këtyre angazhimeve ka penguar përparimin e procesit të paqes dhe ka rënduar sfidat me të cilat përballet popullsia civile.

Bordi rithekson gjithashtu përgjegjësinë e Hamasit për sulmet e 7 tetorit 2023.

Apel OKB-së dhe donatorëve ndërkombëtarë

Në deklaratë u bëhet thirrje Kombeve të Bashkuara, agjencive humanitare dhe donatorëve ndërkombëtarë të mobilizojnë urgjentisht burime dhe furnizime për përballimin e dimrit në Gaza.

Bordi thekson se, pavarësisht përmirësimeve në aksesin ndaj ushqimit që pretendon se janë arritur gjatë vitit të fundit, situata mbetet kritike dhe kërkon veprime të menjëhershme.

“Koha për premtime pa zbatim ka kaluar. Të gjitha palët duhet të tregojnë urgjencën, seriozitetin dhe vendosmërinë që kërkon ky moment”, thuhet në deklaratë.

Bordi paralajmëron se palët që nuk përmbushin angazhimet e tyre do të mbajnë përgjegjësi për pasojat, duke theksuar se popullsia e Gazës nuk mund të përballojë vonesa të mëtejshme në ofrimin e ndihmave dhe në zbatimin e procesit të paqes.