37 vite nga rënia e Murit të Berlinit, Merz: Liria dhe demokracia nuk janë të garantuara

09 Nov 2026 • 22:11
Shpërndaje:

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë thirrje për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Gjermani dhe Evropë, me rastin e 37-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Merz rikujtoi rëndësinë historike të datës 9 nëntor, e cila lidhet me tri ngjarje vendimtare në historinë e Gjermanisë: shpalljen e republikës në vitin 1918, pogromet naziste kundër hebrenjve në vitin 1938 dhe rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989.

“9 Nëntori përfaqëson orët më të errëta dhe më të lumtura të historisë sonë: antisemitizmin dhe persekutimin, fillimin e demokracisë dhe rënien e murit”, deklaroi kancelari gjerman.

Reklamë Ola

Merz theksoi se liria dhe demokracia nuk duhen konsideruar të mirëqena, duke nënvizuar nevojën për mbrojtjen e vazhdueshme të tyre.

9 Nëntori, një datë që shënoi historinë gjermane

Reklamë InterMedika

Në vitin 1918, abdikimi i perandorit Wilhelm II hapi rrugën për shpalljen e republikës dhe përfundimin e monarkisë në Gjermani.

Dy dekada më vonë, më 9 nëntor 1938, regjimi nazist organizoi sulme të dhunshme kundër komunitetit hebre, në ngjarjet e njohura si “Nata e Kristaltë”, që shënuan një përshkallëzim të rëndë të persekutimit antisemit.

Ndërsa më 9 nëntor 1989, rënia e Murit të Berlinit u kthye në simbol të përfundimit të ndarjes së Gjermanisë dhe hapi rrugën drejt ribashkimit të vendit në vitin 1990.

Në kuadër të përkujtimoreve, kancelari Merz pritet të marrë pjesë në një ceremoni në Mynih, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të sinagogës Ohel Jakob.

Në aktivitet do të jenë të pranishëm edhe kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, dhe presidentja e Parlamentit bavarez, Ilse Aigner.

Emri i Aigner është përmendur gjithashtu mes kandidatëve të mundshëm për të pasuar presidentin federal Frank-Walter Steinmeier. Nëse do të zgjidhej në këtë detyrë, ajo do të bëhej gruaja e parë presidente federale në historinë e Gjermanisë.

Përvjetori i rënies së Murit të Berlinit shërben si një moment reflektimi mbi historinë gjermane dhe rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike në Evropë.