Rama: Progresraporti më i mirë deri më sot, asnjë kritikë nuk duhet anashkaluar

05 Nov 2026 • 15:14
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama e cilësoi progresraportin e Komisionit Europian për vitin 2026 si më të mirin që Shqipëria ka marrë deri më sot. Në konferencën e përbashkët me ambasadoren e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ai tha se vendi ka hyrë në fazën e fundit të negociatave të anëtarësimit, ndërsa theksoi se institucionet duhet t’u përgjigjen edhe kritikave të Brukselit.

“Fati europian i Shqipërisë është i gjithi në duart tona”, u shpreh Rama pas dorëzimit zyrtar të raportit. Sipas tij, vëmendja tashmë është te hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria dhe te bashkërendimi i punës së institucioneve deri në përfundimin e negociatave.

Kryeministri veçoi përparimin në drejtësi, ekonomi dhe përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së. Ai tha se raporti njeh pavarësinë dhe rezultatet e SPAK-ut, një vlerësim që e lidhi me reformën në drejtësi të nisur në vitin 2016. Njëkohësisht, dokumenti evidenton mungesat në sistemin gjyqësor, vonesat në shqyrtimin e çështjeve dhe në dhënien e vendimeve për korrupsionin.

Reklamë Ola

Rama u ndal edhe te shqetësimet për funksionimin e institucioneve, mbikëqyrjen parlamentare dhe cilësinë e debatit publik. Duke komentuar konstatimin për përdorimin e tepruar të forcës nga policia gjatë protestave, ai tha se rastet e tejkalimit të forcës duhet të shqyrtohen seriozisht.

“E drejta për protestë duhet garantuar dhe dhuna duhet dënuar. Tejkalimi i forcës duhet shqyrtuar seriozisht. Dialogu është jetik dhe ne kemi përgjegjësinë për ta mundësuar atë”, deklaroi Rama.

Reklamë InterMedika