Shtesat mujore të diferencuara për pensionistët parashikohet të dyfishohen gjatë vitit 2027, ndërsa indeksimi i pensioneve do të nisë më 1 prill. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, i prezantoi këto masa gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale mbi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Sipas ministres, mbështetja e pensionistëve, përmirësimi i të ardhurave të tyre dhe garantimi i qëndrueshmërisë së sistemit të sigurimeve shoqërore mbeten ndër prioritetet kryesore.
Për pensionet urbane me vite të plota pune, shtesa mujore parashikohet të rritet nga 1,800 në 3,600 lekë. Për pensionet urbane të pjesshme, ajo do të kalojë nga 800 në 1,600 lekë, ndërsa për pensionet rurale nga 1,000 në 2,000 lekë.
Për pensionet familjare, shtesa mujore do të rritet nga 700 në 1,400 lekë, kurse për pensionet e invaliditetit të punës nga 600 në 1,200 lekë. Këto shuma përfaqësojnë shtesat mbi pensionin, jo vlerën e plotë të tij.
Për financimin e shtesave janë parashikuar 20 miliardë lekë në vitin 2027, kundrejt 10.4 miliardë lekëve në vitin 2026. Ibrahimaj theksoi se shpërndarja e mbështetjes përgjatë 12 muajve synon t’u sigurojë pensionistëve të ardhura shtesë të rregullta për përballimin e shpenzimeve të përditshme.
Krahas kësaj mase, projektbuxheti parashikon 4 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve, me qëllim ruajtjen e fuqisë blerëse në raport me rritjen e çmimeve.
“Për vitin 2027, kjo politikë afrohet me disa muaj, duke filluar zbatimin që më 1 prill të vitit 2027”, deklaroi ministrja.
Në total, fondi i parashikuar për shtesat mujore dhe indeksimin arrin në rreth 24 miliardë lekë.
Në nivel të të gjithë sistemit, shpenzimet e sigurimeve shoqërore për vitin 2027, përfshirë indeksimin dhe mbështetjen për pensionistët, parashikohen në rreth 239.6 miliardë lekë. Sipas Ibrahimajt, kjo është rreth 23 miliardë lekë më shumë se niveli i pritshëm i vitit 2026, ose një rritje prej 10.6%.
Ministrja bëri të ditur se programi përkatës përfaqëson rreth 67% të buxhetit total të ministrisë. Rritja e financimit lidhet me përmirësimin e përfitimeve, shtimin e numrit të pensionistëve dhe efektet e ndryshimeve të zbatuara në sistem gjatë viteve të fundit.
Për vitin 2026 parashikohet një shtesë neto prej 28,400 pensionistësh, ndërsa gjatë vitit 2027 priten edhe 22,000 përfitues të tjerë. Deri në fund të vitit të ardhshëm, numri i pensionistëve të të gjitha kategorive pritet të arrijë në 805,000 persona, nga të cilët 693,600 përfitues të pensioneve të pleqërisë.
Nëse përfshihen edhe pensionet suplementare, kompensimet dhe trajtimet e veçanta të përcaktuara me ligj, sistemi i sigurimeve shoqërore parashikohet të mbështesë me të ardhura rreth 850,000 persona.
Ibrahimaj e lidhi zgjerimin e numrit të përfituesve edhe me ndryshimet ligjore për njohjen e periudhave të mëparshme të punësimit në sektorin shtetëror dhe atë bujqësor. Sipas saj, këto ndryshime kanë mundësuar përfshirjen në skemë të qytetarëve që më parë nuk plotësonin kushtet.
Ajo veçoi gjithashtu Marrëveshjen e Sigurimeve Shoqërore me Italinë, zbatimi i së cilës, sipas ministres, ka nisur më 1 korrik 2025 dhe ka lehtësuar bashkimin e periudhave kontributive për personat që kanë punuar në të dyja vendet.
Duke u ndalur te qëndrueshmëria financiare, Ibrahimaj tha se të ardhurat e sigurimeve shoqërore, pa transfertat nga buxheti i shtetit, parashikohen në 182.3 miliardë lekë për vitin 2027. Shpenzimet bazë llogariten në rreth 215.6 miliardë lekë, ndërsa diferenca prej 33.3 miliardë lekësh do të mbulohet nga buxheti i shtetit.
Sipas saj, synohet që të ardhurat nga kontributet të mbulojnë mesatarisht 84.5% të fondeve të alokuara për skemat e sigurimeve shoqërore. Ndërkohë, mbulimi i popullsisë në moshë pune nga kontribuuesit parashikohet të arrijë në 61%.
Ministrja evidentoi se për vitin 2026 raporti është 1.31 kontribuues për çdo përfitues të pensionit të pleqërisë. Ajo theksoi se rritja e numrit të pensionistëve duhet të shoqërohet me forcimin e bazës kontributive, përmes punësimit formal, deklarimit të pagave reale dhe zgjerimit të numrit të kontribuuesve.


