Kryeministri Edi Rama prezantoi platformën digjitale “Pasqyrë Albania”, e cila synon t’u mundësojë qytetarëve të shohin investimet publike në zonën e tyre, të njihen me vendimet e bashkive dhe të ndjekin ecurinë e aplikimeve e ankesave pranë institucioneve.
Gjatë prezantimit, eksperti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Saimir Kapllani, shpjegoi se platforma është konceptuar mbi katër shtylla. Funksionet e paraqitura përfshijnë informacionin mbi projektet publike, transparencën e vendimmarrjes vendore dhe hapësirën personale të qytetarit.
Investimet sipas zonës dhe fazës së realizimit
Shtylla “Shih” do t’u japë qytetarëve mundësinë të informohen se ku po investohet, çfarë projektesh po zhvillohen në bashkinë e tyre dhe në cilën fazë ndodhen. Në këtë hapësirë do të paraqiten edhe nismat dhe reformat prioritare në zbatim.
Rama tha se platforma duhet të pasqyrojë edhe projektet që janë vonuar ose pezulluar, në mënyrë që qytetarët të verifikojnë drejtpërdrejt ecurinë e tyre.
“Një qytetar nga Vlora do të shohë se çfarë po bëhet aktualisht në zonën e tij, në çfarë stadi janë projektet”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, ky informacion do t’u mundësojë qytetarëve të ballafaqojnë të dhënat institucionale me pretendimet që qarkullojnë në media dhe rrjete të tjera komunikimi.
Vendimet e bashkive dhe asistenti virtual
Shtylla e dytë, “Kupto”, përqendrohet te vendimmarrja vendore. Përmes saj do të mund të kërkohen vendimet e miratuara dhe projektvendimet e këshillave bashkiakë.
Kapllani tha se në platformë janë ngarkuar vendimet nga muaji shtator e në vijim. Qytetarët do të kenë gjithashtu në dispozicion një asistent virtual, i cili mund t’i ndihmojë të orientohen dhe të marrin përmbledhje të vendimeve të fundit në bashkinë e tyre.
Hyrje me e-Albania për ndjekjen e aplikimeve
Hapësira personale do të aksesohet përmes identifikimit me llogarinë e-Albania. Sipas prezantimit, aty do të shfaqen aplikimet që qytetari ka kryer në portal, së bashku me statusin e trajtimit të tyre.
“Çdo aplikim që qytetari ka bërë në e-Albania, në ‘Pasqyrë’ reflektohet dhe ndiqet statusi real”, shpjegoi Kapllani.
Kjo hapësirë synon të mundësojë ndjekjen e shërbimeve dhe ankesave, duke e bërë të dukshme fazën ku ndodhet secila kërkesë.
Rama e krahasoi mekanizmin me gjurmimin e një pakoje postare: qytetari do të shohë ku ndodhet kërkesa, ndërsa drejtuesit e institucioneve do të mund të identifikojnë hallkën ku është krijuar vonesa.
Ai bëri dallimin mes zgjidhjes së problemit dhe detyrimit të administratës për të dhënë përgjigje brenda afatit.
“Ne mund të kemi diskutime për ‘u zgjidh apo s’u zgjidh’ gjëja, por nuk mund të kemi më diskutime ‘a u mor a s’u mor përgjigjja’. Dhënia e përgjigjes në kohë është një detyrim”, tha Rama.
Njoftim me SMS kur tejkalohet afati
Sipas Kapllanit, platforma do të ndjekë afatin ligjor të përgjigjes për çdo shërbim. Nëse institucioni e tejkalon atë, qytetari do të njoftohet me SMS.
Mesazhi do të përmbajë edhe një lidhje për paraqitjen e drejtpërdrejtë të ankesës, e cila më pas do të regjistrohet në sistem.
Mekanizmi synon që vonesat të evidentohen si për qytetarin, ashtu edhe për institucionet përgjegjëse, duke krijuar mundësi për ndjekjen e trajtimit të tyre.


