Merz kërkon aleancë me Azinë, tregtia dhe siguria nxjerrin pengesat

01 Nov 2026 • 19:19
Shpërndaje:

Kancelari gjerman Friedrich Merz përfundoi vizitën pesëditore në Singapor, Japoni dhe Korenë e Jugut me thirrjen për bashkëpunim më të ngushtë në siguri dhe tregti. Por kundërshtimet ndaj politikave industriale evropiane dhe pikëpyetjet për mbështetjen ushtarake treguan vështirësitë e këtij afrimi, sipas një analize të POLITICO-s.

Merz propozoi një aleancë të fuqive të mesme për mbrojtjen e tregtisë së bazuar në rregulla, përballë presionit ekonomik dhe dobësimit të rendit ndërkombëtar.

Lidhjet Rusi–Kore e Veriut shqetësojnë partnerët aziatikë

Reklamë Ola

Vizita përfundoi të premten në zonën e çmilitarizuar mes dy Koreve, ku Merz kujtoi ndarjen e dikurshme të Gjermanisë. Pak përpara mbërritjes së tij, Koreja e Veriut kishte lëshuar rreth dhjetë raketa balistike me rreze të shkurtër drejt Detit të Japonisë.

Kancelari tha se lufta ruse në Ukrainë është gjithnjë e më e pranishme edhe në shqetësimet e sigurisë të Azisë.

Reklamë InterMedika

“Nuk ka më siguri të njëanshme në botë, vetëm siguri kolektive”, deklaroi ai, duke kërkuar bashkëpunim me Japoninë, Korenë e Jugut dhe Singaporin në politikën e mbrojtjes dhe industrinë ushtarake.

Sipas analizës, bashkëpunimi i Phenianit me Moskën, përfshirë dërgimin e ushtarëve në luftën kundër Ukrainës, po i siguron Koresë së Veriut përvojë luftarake dhe transferime teknologjike.

Shqetësimet rajonale përfshijnë gjithashtu presionin kinez ndaj Tajvanit, pretendimet territoriale në Detin e Kinës Jugore dhe bashkëpunimin ushtarak mes Kinës e Rusisë.

Industria gjermane e mbrojtjes kërkon partneritete

Merz udhëtoi me një delegacion të madh biznesi, ku përfshiheshin Airbus, prodhuesi i sistemeve të mbrojtjes ajrore Diehl Defence dhe kompania e dronëve Quantum-Systems.

Përvoja e kompanive gjermane në Ukrainë dhe bashkëpunimi me prodhuesit vendas po tërheqin interesin e partnerëve aziatikë për teknologjitë e reja ushtarake.

Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi e përshkroi bashkëpunimin me Gjermaninë si një “partneritet premium”.

Megjithatë, sipas POLITICO-s, kërkesa që Japonia t’i furnizojë Ukrainës raketa Patriot nuk solli rezultat. Ende mbetet e paqartë edhe nëse Tokio do të kontribuojë me disa miliardë në një kredi të re për Ukrainën vitin e ardhshëm.

Propozimi për aleancë tregtare

Në Tokio dhe Seul, Merz kërkoi koordinim mes BE-së, vendeve aziatikë, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re dhe bllokut amerikanojugor Mercosur.

Ai argumentoi se këto ekonomi duhet të veprojnë së bashku kur cenohen rregullat ndërkombëtare ose ushtrohet presion ekonomik. Propozimi vjen përballë shqetësimeve për kufizimet kineze mbi mineralet e rralla dhe kërcënimet tarifore të presidentit amerikan Donald Trump.

Merz tha se bashkëpunimi mund të ndihmojë edhe në forcimin e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe zhbllokimin e emërimit të gjyqtarëve në organin e saj të apelit.

“Made in Europe” nxit kundërshtime

Pengesa më e dukshme ishte reagimi ndaj planit franko-gjerman për kufizimin e subvencioneve të automobilave te mjetet e prodhuara në BE, Zvicër dhe Britaninë e Madhe.

Japonia dhe Koreja e Jugut kërkuan trajtim më të barabartë për prodhuesit e tyre. Presidenti koreanojugor Lee Jae Myung tha se i kishte kërkuar Merzit mbështetje që vendi i tij të trajtohej njësoj si shtetet e BE-së.

Merz pranoi se intensiteti i kundërshtimeve e kishte befasuar dhe se propozimi kishte ngritur shqetësime për një valë të re proteksionizmi evropian. Ai premtoi t’i diskutojë rezervat në samitin e ardhshëm të liderëve të BE-së.

Në fushën e sigurisë, partnerët aziatikë kërkojnë gjithashtu qartësi për angazhimin evropian. Një diplomat japonez ia përmblodhi dilemën delegacionit gjerman me pyetjen: “Si saktësisht do të na ndihmoni nëse Kina sulmon Tajvanin?”