Reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, ka paralajmëruar se do të largohet nga protesta, duke shprehur pakënaqësi për drejtimin e saj dhe duke pretenduar se pjesëmarrësit nuk synojnë realisht rrëzimin e qeverisë.
Në një story në Instagram, ai shkroi se nuk dëshiron të bëhet “kokë turku” dhe se do t’i shpjegojë më vonë arsyet e vendimit.
“Kokë turku nuk bohem. Nuk dun me e rrëzu Ramën. E gëzofshi! Sapo të largohem sonte, kismet nesër jua shpjegoj që s’dun me e rrëzu Edi Ramën”, shkroi reperi.
Stresi shtoi se nuk kishte ardhur për t’u “rraskapitur çdo ditë pa lidhje”, ndërsa pretendoi se për largimin e qeverisë nevojitet një “kryengritje”.
Reagimi vjen një ditë pas tensioneve në protestën e së shtunës, ku një pjesë e studentëve kundërshtuan praninë e deputetëve të Partisë Demokratike.
Megjithatë, Stresi nuk e përmendi refuzimin ndaj përfaqësuesve të PD-së si arsye për largimin e paralajmëruar.


