Balla: Rama nuk dorëhiqet, pushteti ndryshon me votë

26 Oct 2026 • 15:16
Shpërndaje:

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përjashtuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa ka përsëritur ftesën për dialog me studentët.

Në një prononcim për mediat, Balla tha se qeveria është e gatshme të diskutojë çështjet e ngritura prej tyre, por jo të dialogojë me persona që ushtrojnë dhunë.

“Dorëheqja e Ramës s’ka për të ndodhur kurrë. Dorëheqje nuk ka. Dialog pa dyshim”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Balla u shpreh se studentët mund t’i paraqesin paraprakisht qeverisë një listë me problematikat që kërkojnë të adresohen.

“Dialog po, nëse duan paraprakisht t’i çojnë listën e çështjeve, le t’i çojnë”, tha kreu i grupit socialist.

Reklamë InterMedika

Ai mbrojti politikat e mbështetjes për studentët, duke deklaruar se ata nga familjet në nevojë përjashtohen nga tarifat dhe marrin 100 euro nga shteti. Balla përmendi gjithashtu trajtimin e veçantë për studentët ekselentë.

Duke u ndalur te incidentet gjatë protestave, ai tha se ligji për tubimet parashikon masa ndaj personave që kryejnë dhunë. Në këtë kontekst, Balla akuzoi PD-në, duke përdorur shprehjen “seksioni i dhunës së PD-së”.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së u kërkoi studentëve të ndiqnin shembullin e lëvizjes studentore në Serbi, duke theksuar se ndryshimi i pushtetit duhet të kalojë përmes zgjedhjeve.

“Studentët të marrin shembull nga studentët në Serbi. Në fund u konkretizua me votë. Shkuan në zgjedhje. Vota është ajo që përcakton dhe në demokraci harrojeni se mund të ketë ndryshim pushteti pa votë”, u shpreh Balla.