Shqipëria do të mirëpresë më 26–28 tetor Asamblenë Rajonale dhe Lokale Euro-Mesdhetare (ARLEM), e cila do të mbledhë përfaqësues të autoriteteve vendore dhe rajonale, institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare.
Në qendër të takimit do të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Mesdheut Jugor, me fokus nismat konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve.
Programi do të nisë më 26 tetor me takime koordinuese të partnerëve mesdhetarë dhe evropianë, të ndjekura nga mbledhja e 31-të e Byrosë së ARLEM-it. Dita e parë do të mbyllet me një mbrëmje kushtuar kulturës shqiptare.
Seanca e hapjes do të zhvillohet më 27 tetor, me fjalët përshëndetëse të kryetares së Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, dhe drejtores ekzekutive të Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, Adelina Farrici.
Në hapje parashikohen edhe ndërhyrjet e bashkëkryetarëve të ARLEM-it, Joško Klisović dhe Mina Bouhdoud, ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe përfaqësueses së Unionit për Mesdheun, Mariam Diallo. Komisionerja evropiane për Mesdheun, Dubravka Šuica, do të përcjellë një deklaratë me video.
Një nga temat kryesore do të jetë zbatimi i Paktit për Mesdheun përmes përfshirjes së autoriteteve vendore dhe rajonale. Diskutimet do të trajtojnë barazinë gjinore, menaxhimin e ujit, ndryshimet klimatike, mbrojtjen civile dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Gjatë sesioneve do të prezantohet projekti “Gender Equality Facility in Albania”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta, dhe kryetares së Bashkisë Roskovec.
Programi përfshin gjithashtu prezantimin e projektit për restaurimin e zonës së ndjeshme natyrore të Sebkha-s në Soliman të Tunizisë, si dhe të projekteve “NATURIncMed”, “ForestMED” dhe “MEDTER”.
Më 27 tetor, nga ora 12:00 deri në 12:30, do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së Çmimit ARLEM 2026 për sipërmarrjen e re vendore në Mesdhe.
Në sesionin e pasdites, përfaqësues nga Jordania, Franca dhe Komisioni Evropian do të diskutojnë mënyrat e realizimit të Paktit për Mesdheun në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe rajonal. Më pas do të trajtohen çështjet e punës së ARLEM-it.
Aktivitetet do të përmbyllen më 28 tetor me një vizitë studimore dhe kulturore në Roskovec dhe Berat. Pjesëmarrësit do të njihen me zhvillimin vendor dhe trashëgiminë kulturore të dy qyteteve.


