Tajani: Anëtarë të rinj në BE më 2028, pa integrim “të klasit të dytë”

25 Oct 2026 • 17:43
Shpërndaje:

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, duke deklaruar se reformat e zbatuara nga të dyja vendet dëshmojnë se procesi i anëtarësimit mund të japë rezultate konkrete.

Ai e cilësoi presidencën italiane të BE-së, në gjysmën e parë të vitit 2028, si një mundësi për të mirëpritur anëtarë të rinj, pa e paraqitur këtë si një afat të garantuar.

“Mali i Zi dhe Shqipëria kanë treguar se, kur zbatohen reformat, procesi i anëtarësimit në BE mund të prodhojë rezultate të prekshme. Italia do të marrë presidencën e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2028. Ky moment do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të festuar shtimin e anëtarëve të rinj në familjen evropiane”, deklaroi Tajani.

Reklamë Ola

Kreu i diplomacisë italiane theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor mbetet një përparësi për Romën dhe një mesazh i rëndësishëm gjeopolitik.

“Ne duhet të angazhohemi plotësisht për ribashkimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Duhet t’i dërgojmë një mesazh të fortë Rusisë dhe kombeve të tjera, sepse ju jeni Evropa”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Tajani kërkoi që zgjerimi të ruajë besueshmërinë dhe të mbështetet te meritat e secilit vend, duke kundërshtuar mundësinë e një anëtarësimi me të drejta të kufizuara.

“Ne duhet të mbrojmë besueshmërinë, parashikueshmërinë dhe cilësinë e procesit të zgjerimit, duke siguruar një qasje ndaj pranimit të bazuar në meritë dhe duke shmangur çdo anëtarësim ‘të klasit të dytë’”, tha ministri.

Sipas tij, zhvillimet politike dhe ndërkombëtare kërkojnë angazhim më të madh ndaj rajonit. Ai i cilësoi vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë thelbësorë për sigurinë ekonomike, lidhjet infrastrukturore, zinxhirët e furnizimit dhe sigurinë ushqimore.

Në këtë kuadër, Tajani vuri theksin te zhvillimi i Korridorit 8 dhe Korridorit 10, të cilët i konsideroi të rëndësishëm për lidhjen më të ngushtë të rajonit me pjesën tjetër të Evropës.

“Italia është e përgatitur të kontribuojë në këtë rajon”, deklaroi ai.