BE-ja mirëpret kthimin e ligjit për Specialen, kërkon konsultim

23 Oct 2026 • 20:47
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin që ndryshon funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Brukseli kërkon të konsultohet përpara çdo diskutimi të ri mbi ndryshimet.

Një zëdhënës i BE-së tha se blloku ka shprehur vazhdimisht “shqetësim të thellë” për nismën, si përpara ashtu edhe pas miratimit të saj nga Kuvendi më 6 tetor.

Sipas tij, pritshmëria për konsultim mbështetet te zotimet që Kosova ka marrë përmes letërkëmbimit të vitit 2014 mes presidentes së atëhershme Atifete Jahjaga dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Reklamë Ola

Ky letërkëmbim përcaktoi bazën e marrëveshjes për krijimin e Dhomave të Specializuara. Ndër angazhimet ishte konsultimi me BE-në për ndryshime ligjore që prekin mandatin e gjykatës ose procedurat që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese.

Kosova u zotua gjithashtu të mundësojë vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Reklamë InterMedika

Presidentja e ktheu ligjin për rishqyrtim më 22 tetor, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ishte nismëtare e ndryshimeve.

PDK-ja argumentoi se rikthimi synon plotësimin e disa dispozitave dhe forcimin e sigurisë juridike, pa e nisur procesin nga e para.

“Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij”, deklaroi partia.

PDK-ja kërkon që procesi të përfundojë brenda katër javësh dhe të pasohet nga hyrja në fuqi e ligjit.

Vendimi për rishqyrtim është kritikuar nga Aleanca, e cila i kishte mbështetur ndryshimet. Ndërkohë, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur skepticizëm për rezultatet që mund të prodhojë ligji, megjithëse partia e votoi atë.

Ndryshimet u miratuan pas 21 ditësh protesta kundër aktgjykimit dënues në shkallë të parë për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Mes dispozitave parashikohen kufizimi i juridiksionit të gjykatës, dënime deri në 15 vjet burgim, zhvillimi në Kosovë i procedurave në nivelin e Gjykatës Supreme dhe mundësia që të dënuarit të përfitojnë nga falja presidenciale.

Pas miratimit, BE-ja ngriti shqetësime për përputhshmërinë e ndryshimeve me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe për ruajtjen e pavarësisë së Dhomave të Specializuara dhe prokurorisë.

Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar gjithashtu se ndërhyrjet në mandat mund të ngrenë çështje kushtetuese.

Dhomat e Specializuara kanë deklaruar se nuk janë konsultuar për nismën. Kryetarja e tyre, Ekaterina Trendafilova, ka theksuar se mandati përcaktohet nga letërkëmbimi i vitit 2014, Kushtetuta e Kosovës dhe ligji përkatës.

Në një videomesazh, ajo mbrojti pavarësinë dhe paanshmërinë e proceseve gjyqësore, qëndrim që ka nxitur kritika në Kosovë.