Macron akuzon ekstremin e majtë për trazirat, Franca shton kufizimet

23 Oct 2026 • 20:33
Shpërndaje:

Presidenti francez Emmanuel Macron ka akuzuar grupet e ekstremit të majtë për organizimin e një pjese të dhunës që ka përfshirë disa qytete të Francës, duke pretenduar se veprimet e tyre synojnë të minojnë institucionet e Republikës.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Macron deklaroi se disa prej sulmeve ishin të planifikuara dhe kishin karakter politik e kryengritës.

Sipas tij, pas këtyre veprimeve qëndrojnë grupe të organizuara të së majtës ekstreme që synojnë “të rrëzojnë Republikën”.

Reklamë Ola

Presidenti bëri të ditur se në ditët në vijim mund të ndalohen protestat që nuk organizohen nga sindikata apo struktura të njohura. Për marshimet e autorizuara po shqyrtohet përcaktimi i itinerareve të posaçme, me synimin për të mbrojtur bizneset dhe pronën publike.

Rreth 3 mijë biznese në të gjithë vendin janë raportuar të plaçkitura ose të vandalizuara, ndërsa rreth 2 600 persona janë arrestuar në lidhje me dhunën.

Reklamë InterMedika

Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë, përfshirë kufizime të tubimeve dhe orë policore në disa qytete e zona të kryeqytetit.

Në disa pjesë të Parisit, kufizimi i lëvizjes zbatohet nga ora 22:00 deri në 06:00. Në Lion janë ndaluar grumbullimet në rrugë, ndërsa në Marsejë janë kufizuar tubimet dhe demonstratat.

Masa të tjera, përfshirë orë policore për të miturit, janë njoftuar në Nicë dhe në disa qytete të veriut të Francës, ndërsa autoritetet përpiqen të parandalojnë përplasje të reja dhe dëmtime të mëtejshme.