BE-ja shqyrton shtyrjen e marrëveshjes për tarifat studentore në Britani

22 Oct 2026 • 22:54
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë që negociatat për uljen e tarifave universitare për studentët evropianë në Mbretërinë e Bashkuar të vazhdojnë edhe pas samitit të liderëve më 20 nëntor.

Sipas tre diplomatëve evropianë të cituar nga POLITICO, Komisioni Evropian ua paraqiti këtë mundësi vendeve anëtare të mërkurën, me synimin për të mundësuar marrëveshje mbi pjesët e tjera të paketës për afrimin e marrëdhënieve mes Londrës dhe Brukselit.

BE-ja kërkon që studentët nga vendet e saj anëtare të paguajnë të njëjtat tarifa si studentët vendas në universitetet britanike, ashtu si përpara Brexit-it.

Reklamë Ola

Propozimi parashikon që Britania të angazhohet për përfundimin e një marrëveshjeje mbi tarifat brenda gjashtë muajve. Kjo do t’u hapte rrugë dakordësive në samit për tregtinë agroushqimore, sistemin e tregtimit të emetimeve dhe një skemë që do t’u krijonte të rinjve mundësi qëndrimi dhe përvoje në vendet e njëri-tjetrit.

Megjithatë, një nga diplomatët theksoi se tarifat studentore mbeten pjesë e paketës së përgjithshme. Sipas tij, marrëveshjet nuk do të hynin në fuqi pa u arritur dakordësi në të gjitha fushat.

Reklamë InterMedika

Londra dhe Brukseli po shqyrtojnë gjithashtu një deklaratë të përbashkët për sigurinë ekonomike, mes shqetësimeve britanike për propozimet e BE-së që favorizojnë produktet e prodhuara në Evropë.

Ndërkohë, negociatat për marrëveshjen sanitare dhe fitosanitare, që synon përafrimin e standardeve agroushqimore, janë pranë përfundimit, sipas dy prej diplomatëve.

Marrëveshja pritet të përfshijë rregullime të përkohshme për bimët e modifikuara përmes redaktimit gjenetik dhe ushqimet e reja, përfshirë mishin e kultivuar në laborator.

Për bimët e redaktuara gjenetikisht, Britania kërkon të ruajë rregullat e saj derisa të hyjnë në fuqi rregulla të barasvlershme të BE-së, duke u zotuar se nuk do t’i ndryshojë ato gjatë kësaj periudhe.

Për ushqimet e reja, pala britanike do të ndiqte vendimet evropiane për miratimin ose refuzimin e produkteve, por do të mund të përcaktonte rregulla të veta për ato që BE-ja ende nuk i ka vlerësuar.

Në të dyja rastet, produktet e përfshira në këto përjashtime do të mund të shiteshin vetëm në Britaninë e Madhe dhe nuk do të kishin akses në tregun e përbashkët evropian.