Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka njoftuar miratimin e një dekreti që ashpërson masat ndaj dhunës gjatë demonstratave, pas trazirave dhe shkatërrimeve të fundjavës në Milano dhe qytete të tjera në veri të Italisë.
Sipas shpjegimit të saj, paketa parashikon një vepër të re penale për pjesëmarrjen e dhunshme në demonstratë, me dënime deri në pesë vjet burg dhe gjobë deri në 20 mijë euro.
Meloni tha se masa përfshin personat që, në një grup prej të paktën pesë vetash, hedhin gurë, fishekzjarrë apo shkopinj, duke rrezikuar sigurinë e të tjerëve. Sipas saj, dënimet rëndohen kur autorët mbulojnë fytyrën, shkaktojnë lëndime ose përfshihen në shkatërrime në grup.
Kryeministrja i cilësoi pamjet e dhunës të papranueshme dhe deklaroi se ato nuk mund të minimizohen apo justifikohen.
Përgjegjësi financiare për dëmet
Paketa përfshin edhe masa për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në pronën publike dhe private.
“Nëse e prish, do të paguash për të – dhe nëse personi që e prish është i mitur, do të paguajnë prindërit e tij”, deklaroi Meloni.
Sipas saj, për dëmtimet në pronën publike, si stacione autobusësh, semaforë dhe automjete policie, prefekti do të lëshojë një urdhër pagese. Për pronën private, pronarët do të mund t’i drejtohen gjykatës për një urdhër të ekzekutueshëm menjëherë.
Masa për të miturit dhe 500 ushtarakë shtesë
Meloni njoftoi gjithashtu ndryshime lidhur me vlerësimin e përgjegjësisë penale të të miturve të moshës 14–18 vjeç dhe mundësinë e zbatimit të paraburgimit në rastet e përfshira në dekret.
Sipas kryeministres, ndryshimet parashikojnë që aftësia e të miturit për të kuptuar veprimet e tij të prezumohet, përveç rasteve kur provohet e kundërta.
Ajo konfirmoi edhe dislokimin e 500 ushtarakëve shtesë në Milano deri në fund të vitit, si dhe rritjen e numrit të magjistratëve dhe të kapaciteteve në qendrat e paraburgimit për të mitur.


