Këshilli i Sigurimit diskuton sot Kosovën, në fokus veriu dhe dialogu me Serbinë

20 Oct 2026 • 14:07
Shpërndaje:

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për të diskutuar situatën në Kosovë, me fokus zhvillimet politike, sigurinë dhe ecurinë e dialogut me Serbinë. Seanca është parashikuar të nisë në orën 21:00, sipas kohës së Kosovës.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, pritet të paraqesë raportin për periudhën 16 mars–15 shtator 2026.

Sipas organizatës Security Council Report, dokumenti vlerëson se situata e përgjithshme e sigurisë ka mbetur e qëndrueshme, por evidenton vështirësi në funksionimin e institucioneve dhe përparim të kufizuar në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Reklamë Ola

Gjendja në veri përshkruhet si e qetë, por e brishtë, për shkak të mosmarrëveshjeve mes autoriteteve qendrore dhe lokale. Raporti trajton çështje të kompetencave komunale, rrënimit të objekteve, dëbimeve nga pronat dhe veprimeve të Policisë së Kosovës, në kontekstin e marrëdhënieve mes institucioneve dhe komuniteteve.

Në diskutim pritet të përfshihen edhe zhvillimet e fundit politike, përfshirë formimin e qeverisë në shtator dhe zgjedhjen e Justina Pula-Shirokës presidente më 7 tetor, me 81 vota.

Reklamë InterMedika

Zbatimi i marrëveshjeve dhe çështja e Banjskës

Një nga temat kryesore pritet të jetë zbatimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023.

Sipas raportit, gjatë periudhës së mbuluar nuk është zhvilluar takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut, megjithëse përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Peter Sørensen, ka vijuar kontaktet me palët.

Në seancë mund të trajtohen gjithashtu rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe përgjegjësia për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator 2023.

Dokumenti ngre edhe çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës. Sipas të dhënave të përfshira, deri më 15 shtator 2026 mbetej i pazbardhur fati i 1.579 personave.

Ndarje për të ardhmen e UNMIK-ut

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit pritet të shfaqin qëndrime të ndryshme për të ardhmen e misionit të OKB-së në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar më herët mbylljen e UNMIK-ut, ndërsa Britania e Madhe ka mbështetur një rishikim strategjik të rolit të tij. Rusia dhe Kina kundërshtojnë reduktimin e misionit.

Në seancë pritet të marrin pjesë përfaqësues të Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Europian. Kjo është mbledhja e dytë e rregullt e Këshillit të Sigurimit për Kosovën gjatë vitit 2026.