Rama: Protestat po shfrytëzohen nga aktorë të huaj, shqetësimet e qytetarëve janë reale

20 Oct 2026 • 09:14
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama pretendoi se aktorë të huaj po ushqejnë dhunën gjatë protestave në Tiranë, duke shfrytëzuar pakënaqësitë reale të qytetarëve për koston e jetesës dhe strehimin. Ai i cilësoi zhvillimet si pjesë të një “lufte hibride”, që, sipas tij, synon të pengojë ecurinë e vendit dhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Gjatë takimit të së martës me drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës, Rama tha se deri tani janë lënduar rreth 200 punonjës policie dhe rreth 80 protestues. Sipas tij, më pak se gjysma e protestuesve të lënduar janë studentë.

“Është një luftë hibride, funksionon deri në këtë masë, sepse bazohet në shqetësimet reale. Janë reale shqetësimet për koston e jetesës, për strehimin”, deklaroi kryeministri.

Reklamë Ola

Rama pretendoi gjithashtu se mes pjesëmarrësve ka persona të maskuar dhe të paguar për të sulmuar policinë. Në deklaratat e cituara, ai nuk identifikoi aktorët e huaj dhe nuk paraqiti prova për pretendimin mbi pagesat.

Në takim, kryeministri përdori një gur si simbol të kufirit mes protestës paqësore dhe veprimeve që, sipas tij, kërkojnë reagimin e shtetit.

Reklamë InterMedika

“Ky gur është objekti që ndan qartësisht dy anët e kësaj historie dhe përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të reaguar dhe për të marrë në mbrojtje qytetarët”, u shpreh ai.

Rama kërkoi reflektim mbi gjendjen e brezit të ri dhe mënyrën se si institucionet arsimore mund t’u përgjigjen problemeve të tij. Ai iu referua pamjeve që, sipas tij, tregonin nxënës duke vandalizuar një libër të Gjergj Fishtës, duke e cilësuar ngjarjen shqetësuese përtej dëmtimit të një simboli kulturor.

“Kjo do të thotë se ata nuk e dinë kush është Gjergj Fishta dhe kjo është një arsye që ne të reflektojmë mbi këtë padije dramatike”, tha kryeministri.

Ai ngriti edhe shqetësimin për ndikimin e TikTok-ut dhe platformave të tjera te të miturit, duke argumentuar se algoritmet dhe varësia nga përmbajtjet digjitale mund t’i shkëpusin nga realiteti. Rama kërkoi një angazhim të përbashkët për adresimin e këtyre problematikave.