Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimet e përhapura në rrjetet sociale se gjatë protestës së 15 tetorit në Tiranë janë angazhuar punonjës policie nga Serbia për të kryer arrestime dhe ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Përmes një reagimi zyrtar, Policia i cilëson këto pretendime të pavërteta dhe dashakeqe, duke theksuar se përhapja e tyre synon të nxisë tensione dhe të dëmtojë besimin e qytetarëve tek institucionet ligjzbatuese.
Sipas deklaratës, informacione të tilla synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të krijuar një klimë konfliktuale.
“Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta në rrjetet sociale, përmes të cilave pretendohet se në radhët e saj janë angazhuar punonjës policie nga Serbia”, thuhet në reagim.
Institucioni sqaron se gjatë tubimit të 15 tetorit janë angazhuar vetëm efektivë të Policisë së Shtetit, sipas planit të masave të hartuar për garantimin e rendit dhe sigurisë.
“Në tubimin e datës 15.10.2026, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave”, theksohet në deklaratë.
Policia e Shtetit rithekson se pretendimet për përfshirjen e punonjësve të policisë nga Serbia në operacionet gjatë protestës nuk kanë asnjë bazë.


