Ish-ministri gjerman për Europën, Michael Roth, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç, se flamuri i Serbisë një ditë do të valëvitet në Prizren.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Roth e cilësoi deklaratën si një pretendim territorial ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se një retorikë e tillë e largon Serbinë nga perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Serbia e gjorë! Ivica Daçiç dëshiron që flamuri serb të valëvitet mbi Prizren. Pretendimet territoriale ndaj një fqinji më lënë pa fjalë”, shkroi ish-ministri gjerman.
Roth paralajmëroi se qëndrime të tilla mund të nxisin tensione dhe të dëmtojnë marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Europian.
“Kjo rrugë çon drejt luftës. Nuk çon drejt Bashkimit Europian. Nuk ka më para të BE-së për Serbinë!”, deklaroi ai.
Ish-ministri gjerman iu drejtua gjithashtu votuesve serbë në prag të zgjedhjeve të 25 tetorit, duke u kërkuar të reflektojnë mbi drejtimin politik të vendit.
Deklarata e Daçiçit kishte shkaktuar më herët edhe reagimin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca kritikoi si deklaratën për Prizrenin, ashtu edhe paraqitjen publike të Milan Radoiçiçit në tubimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në Kragujevc.
Sipas kryediplomatit kosovar, këto zhvillime tregojnë vazhdimësinë e pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës dhe mungesën e llogaridhënies për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Konjufca e cilësoi Radoiçiçin si organizator të atij sulmi, duke ngritur shqetësime për mesazhet politike që, sipas tij, po përcillen nga Beogradi.
Reagimet vijnë në një periudhë tensionesh në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa çështja e normalizimit të marrëdhënieve mbetet pjesë e procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.


