Kamberi i përgjigjet Vuçiçit: Nuk na ndalin kërcënimet

09 Oct 2026 • 21:21
Shpërndaje:

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke i cilësuar ato pjesë të një politike të vazhdueshme presioni ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në një intervistë për Euronews Albania, Kamberi deklaroi se kërcënimet, sipas tij, nuk drejtohen vetëm ndaj përfaqësuesve politikë shqiptarë, por ndaj gjithë komunitetit shqiptar që jeton në Serbi.

“Ne po jetojmë në një atmosferë në të cilën Vuçiç apo dikush nga tabori i tij gjithmonë jep deklarata antishqiptare”, u shpreh Kamberi.

Reklamë Ola

Ai pretendoi se deklarata të ngjashme janë bërë ndër vite edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë serbë, duke përmendur rastin e një ministreje që, sipas tij, kishte folur për spastrimin etnik të shqiptarëve.

“Nëse ato mblidhen, shihet një politikë zyrtare e orientuar drejt kërcënimeve të vazhdueshme të drejtpërdrejta mbi shqiptarët, jo mbi mua vetëm personalisht, por mbi gjithë popullatën shqiptare”, deklaroi deputeti.

Reklamë InterMedika

Pavarësisht kësaj situate, Kamberi theksoi se përfaqësuesit shqiptarë nuk do të tërhiqen nga angazhimi për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit të tyre.

Kamberi kërkon mbështetjen e Kongresit amerikan

Deputeti shqiptar u ndal edhe te roli i Shteteve të Bashkuara, duke vlerësuar se Uashingtoni mund të ndikojë në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Serbi.

Sipas tij, dialogu strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë mund të shërbejë si mundësi për të ngritur çështjen e respektimit të të drejtave të pakicave.

“Interesi ynë është që Kongresi Amerikan përfundimisht ta aprovojë ligjin që ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, të inicuar nga kongresisti Keith Self”, tha Kamberi.

Ai shtoi se përpjekjet për miratimin e kësaj nisme do të vijojnë edhe me mbështetjen e institucioneve të Kosovës.

Bashkimi i shqiptarëve, jo vetëm për mandate parlamentare

Duke folur për marrëveshjen mes forcave politike shqiptare në Luginën e Preshevës, Kamberi sqaroi se bashkimi i tyre nuk synon vetëm sigurimin e mandateve në Parlamentin serb.

“Kemi bërë bashkim që edhe pas fitimit të mandateve, sa do të jenë ato, të jemi të bashkuar, që të përbashkët të paraqitemi me kërkesa kundrejt Beogradit zyrtar”, deklaroi ai.

Ndër problemet kryesore të shqiptarëve në Serbi, Kamberi renditi pasivizimin e adresave, mungesën e përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore, mosnjohjen e diplomave dhe vështirësitë në arsim.

Sipas tij, kërkesat nuk kanë të bëjnë me sigurimin e posteve ministrore, por me përfaqësimin në polici, gjyqësor, inspektorate dhe institucione të tjera publike.

Ai theksoi se Plani 7-pikësh mbetet dokumenti bazë mbi të cilin mbështeten kërkesat politike të shqiptarëve të Luginës.

Kamberi paralajmëron krizë politike në Serbi

I pyetur për zhvillimet politike në Serbi, deputeti shqiptar vlerësoi se vendi mund të përballet me një krizë të thellë pas 25 tetorit.

Kamberi argumentoi se mosplotësimi i kërkesave të opozitës dhe lëvizjes studentore për ndryshimin e kushteve zgjedhore mund të sjellë kontestimin e rezultateve.

Ai ngriti gjithashtu pretendime për mundësinë e ndikimit në procesin zgjedhor përmes votave të serbëve nga Bosnja dhe Kosova, si dhe manipulimeve të mundshme brenda Serbisë.

“Nuk është lehtë të parashikohet çfarë do të ndodhë, por ajo që është e sigurt është se Serbinë e pret një krizë politike”, u shpreh Kamberi.

Deputeti sqaroi se përfaqësuesit shqiptarë nuk do të mbështesin automatikisht asnjë qeveri të ardhshme në Beograd.

Sipas tij, çdo bashkëpunim politik do të varet nga qëndrimi i qeverisë ndaj të drejtave të pakicave, sundimit të ligjit, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe përballjes me të kaluarën e luftërave në rajon.