Hita kërkon zgjerimin e Task Forcës kundër migracionit të parregullt

09 Oct 2026 • 17:51
Shpërndaje:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka propozuar përfshirjen e Greqisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në Task Forcën e Përbashkët kundër Migracionit të Parregullt, me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe luftës ndaj krimit të organizuar.

Propozimi u bë gjatë një tryeze të zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, ku përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse diskutuan zgjerimin e mekanizmave të përbashkët për parandalimin dhe goditjen e rrjeteve kriminale që shfrytëzojnë migracionin e parregullt.

Hita theksoi se përfshirja e Greqisë dhe Bosnjë-Hercegovinës si anëtare me të drejta të plota do të ndihmonte në rritjen e efektivitetit të operacioneve ndërkufitare.

Reklamë Ola

Sipas tij, migracioni i parregullt është i lidhur me një sërë veprimtarish kriminale, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore, falsifikimin e dokumenteve, pastrimin e parave dhe forma të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar.

“Task Forca është më shumë se një mekanizëm bashkëpunimi. Është një shembull konkret i asaj që mund të arrijmë kur informacioni, ekspertiza dhe veprimi operacional i vendeve tona bashkohen në kohë”, deklaroi Hita.

Reklamë InterMedika

Kreu i Policisë së Shtetit vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e deritanishëm në kuadër të Task Forcës Shqipëri–Mbretëri e Bashkuar, e krijuar në vitin 2023.

Ky mekanizëm është zgjeruar më pas me pjesëmarrjen e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, duke mundësuar koordinim më të gjerë mes autoriteteve ligjzbatuese.

Sipas Hitës, operacionet e përbashkëta, shkëmbimi i informacionit dhe hetimet e koordinuara kanë ndihmuar në forcimin e veprimeve kundër grupeve kriminale që veprojnë përtej kufijve shtetërorë.

Propozimi për zgjerimin e Task Forcës synon të rrisë bashkëpunimin operacional dhe shkëmbimin e informacionit mes policive të rajonit, për të luftuar rrjetet e trafikimit dhe veprimtaritë kriminale të lidhura me migracionin e parregullt.