Pirdeni: Test kombëtar për punësimin në administratë, certifikata e vlefshme 4 vjet

09 Oct 2026 • 16:40
Shpërndaje:

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka prezantuar ndryshimet që parashikon reforma “Shkalla e Meritës”, e cila synon të transformojë mënyrën e rekrutimit, vlerësimit dhe ngritjes në karrierë të punonjësve të administratës publike.

Gjatë prezantimit të reformës, Pirdeni njoftoi se brenda muajit tetor pritet t’i paraqitet Këshillit të Ministrave propozimi për krijimin e një sistemi kombëtar testimi për kandidatët që duan të punësohen në administratën shtetërore.

Sipas saj, kandidatët që kalojnë testimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për katër vjet, e cila do t’u mundësojë të aplikojnë për pozicione të ndryshme, në përputhje me profilin e tyre profesional.

Reklamë Ola

Konkurrimi për vendin konkret të punës do të zhvillohet pranë institucionit që shpall pozicionin vakant.

“Ky mekanizëm do të krijojë edhe një rezervë kombëtare talentesh, duke i dhënë shtetit mundësinë të identifikojë dhe të tërheqë profesionistë të rinj, përfshirë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit”, deklaroi Pirdeni.

Reklamë InterMedika

Vlerësimi i punonjësve do të digjitalizohet

Ministrja pranoi se sistemi aktual i vlerësimit nuk arrin gjithmonë të dallojë punonjësit me performancë të lartë nga ata që nuk përmbushin pritshmëritë.

“Puna shumë e mirë shpeshherë nuk dallohet nga puna e zakonshme, nuk dallohet as nga puna e dobët. Vlerësimi nuk sjell gjithmonë pasoja, qoftë negative, qoftë pozitive”, u shpreh ajo.

Për këtë arsye, reforma parashikon digjitalizimin e vlerësimit të performancës, me qëllim identifikimin e vlerësimeve të fryra dhe rritjen e përgjegjësisë së drejtuesve për vendimet që marrin.

Një tjetër risi është futja e vlerësimit 360 gradë për drejtuesit e administratës. Pilotimi pritet të nisë brenda këtij viti dhe do të përfshijë rreth 300 drejtues.

Për herë të parë, performanca e tyre do të vlerësohet jo vetëm nga eprorët, por edhe nga vartësit, kolegët dhe bashkëpunëtorët. Procesi do të administrohet nga një strukturë e jashtme dhe e pavarur.

Portal i ri punësimi dhe inteligjencë artificiale

Pirdeni njoftoi gjithashtu transformimin e portalit “Puna për Shqipërinë” në një regjistër kombëtar talentesh.

Qytetarët do të mund të krijojnë profile personale, të regjistrojnë CV-të dhe interesat profesionale, si dhe të marrin njoftime për pozicionet vakante që përputhen me kualifikimet e tyre.

Portali do të synojë edhe përfshirjen e profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Paralelisht, është parashikuar krijimi i një sistemi kombëtar provimesh digjitale, me synim kufizimin e ndërhyrjeve dhe abuzimeve gjatë konkurseve për punësim.

Të dhënat e gjeneruara nga këto sisteme do të analizohen përmes instrumentit “Meritë AI”, i cili do të përdoret për monitorimin e rezultateve dhe zbatimit të reformës.

Ministrja bëri të ditur se do të krijohet edhe një katalog kombëtar i pozicioneve dhe kompetencave, për të përcaktuar aftësitë dhe kualifikimet që kërkohen për çdo vend pune në administratë.

Pirdeni kujtoi se reforma vjen pas masave të tjera për administratën publike, përfshirë rritjen e pagave nga 26% deri në 63%, si dhe miratimin e paketës së motivimit dhe bonusit të performancës.

Sipas saj, ecuria e reformës, afatet dhe rezultatet do të mund të ndiqen publikisht përmes platformës “Pasqyra e Shqipërisë”.

Në përfundim, ministrja theksoi se synimi është ndërtimi i një sistemi ku punësimi dhe avancimi në karrierë të mbështeten te aftësitë, performanca dhe merita, ndërsa drejtuesit të mbajnë përgjegjësi për vlerësimet e punonjësve.