NATO rikthehet në Kiev pas 8 vitesh, përfaqësuesit ushtarakë të 32 vendeve anëtare vizitojnë Ukrainën

08 Oct 2026 • 22:50
Shpërndaje:

Komiteti Ushtarak i NATO-s ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kiev për herë të parë pas tetë vitesh, duke dërguar një mesazh mbështetjeje për Ukrainën në një kohë kur lufta me Rusinë vijon.

Delegacioni i nivelit të lartë, i përbërë nga përfaqësues ushtarakë të të 32 vendeve anëtare të Aleancës, mbërriti në kryeqytetin ukrainas më 6 tetor, nën drejtimin e kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralit Giuseppe Cavo Dragone.

Vizita u zhvillua pavarësisht kërcënimit të vazhdueshëm nga sulmet ruse ndaj territorit ukrainas.

Reklamë Ola

“Pas një ndërprerjeje tetëvjeçare, Komiteti Ushtarak i NATO-s po kthehet në Kiev për një vizitë zyrtare. Edhe pse nuk kemi qenë fizikisht të pranishëm këtu, Ukraina ka qenë gjithmonë në mendimet, diskutimet dhe vendimet tona”, deklaroi Cavo Dragone.

Gjatë vizitës, admirali theksoi rëndësinë e unitetit të Aleancës përballë kërcënimeve të sigurisë, duke paralajmëruar se përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar vendet anëtare nuk do të arrijnë të përçajnë NATO-n.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, aktet e sabotimit, sulmet kibernetike dhe shkeljet e hapësirës ajrore nuk do të cenojnë solidaritetin mes aleatëve.

Vizita e Komitetit Ushtarak zhvillohet në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në Europë, ndërsa vendet e NATO-s po forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe mbështetjen për Ukrainën.

Që prej nisjes së pushtimit rus, vendet anëtare të Aleancës kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme ushtarake, financiare dhe logjistike për Kievin.

Rikthimi i Komitetit Ushtarak në kryeqytetin ukrainas pas tetë vitesh nënvizon rëndësinë që NATO i kushton bashkëpunimit me Ukrainën dhe sigurisë në rajon.