BE frenon nxjerrjen e rezervave të naftës, kërkon garanci nga IEA për sigurinë energjetike

07 Oct 2026 • 21:06
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian nuk do të ndërmarrë nxjerrje të tjera të naftës dhe karburantit diesel nga rezervat strategjike pa një vlerësim më të qartë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) se një hap i tillë nuk do të rrezikonte sigurinë energjetike të bllokut.

Sipas tre diplomatëve të njohur me diskutimet, të cituar nga POLITICO, zyrtarët e BE-së ranë dakord të mërkurën që çdo përdorim i mëtejshëm i rezervave të shtyhet derisa IEA të japë një analizë më të plotë të kushteve të tregut dhe rreziqeve për furnizimin.

“Vendet duhet të dinë se deri ku mund të ulen rezervat”, tha një prej diplomatëve, duke reflektuar shqetësimin se përdorimi i mëtejshëm i stoqeve në këtë moment mund ta bëjë Evropën më të cenueshme në rast të një krize të re furnizimi.

Reklamë Ola

Debati vjen pasi vendet e G7 ranë dakord të premten për nxjerrjen e 100 milionë fuçive naftë dhe diesel, në një kohë kur çmimet e karburanteve janë rritur për shkak të goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike në Rusi dhe Lindjen e Mesme.

Megjithatë, IEA sqaroi të mërkurën se 100 milionë fuçitë nuk përbëjnë domosdoshmërisht një paketë të re rezervash. Ato pritet të plotësojnë angazhimin e marrë që në muajin mars për nxjerrjen e 400 milionë fuçive.

Reklamë InterMedika

Sipas Agjencisë, nga kjo sasi janë nxjerrë deri tani rreth 325 milionë fuçi, ndërsa disa vende kanë përdorur më shumë rezerva nga sa kishin premtuar fillimisht. Kjo lë ende afërsisht 100 milionë fuçi që mund të hidhen në treg në kuadër të marrëveshjes ekzistuese.

Pikërisht për këtë arsye, angazhimi i fundit i G7 po konsiderohet si “përmbyllje” e marrëveshjes së marsit dhe jo si një ndërhyrje e re shtesë në rezervat strategjike.

Franca dhe Gjermania, të cilat disponojnë disa prej rezervave më të mëdha në Evropë, kanë sinjalizuar se nuk synojnë të nxjerrin sasi të tjera, ose do të ofrojnë vetëm sasi minimale përtej angazhimeve të mëparshme. Edhe Japonia ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të mëtejshëm të rezervave.

Detajet se si do të ndahet mes vendeve angazhimi prej 100 milionë fuçish pritet të diskutohen javën e ardhshme në mbledhjen e bordit drejtues të IEA-së.