Norvegjia denoncon Infantinon në FIFA, kërkon hetim për tre çështje

06 Oct 2026 • 19:33
Shpërndaje:

Federata Norvegjeze e Futbollit ka depozituar dy ankesa formale pranë organeve të FIFA-s, duke kërkuar hetimin e presidentit Gianni Infantino dhe të zyrtarëve të tjerë të përfshirë për tri çështje që lidhen me qeverisjen dhe proceset vendimmarrëse të organizatës.

Ankesat i janë drejtuar Komitetit të Etikës dhe Komitetit për Qeverisjen, Auditimin dhe Përputhshmërinë të FIFA-s, pas një vendimi unanim të bordit të Federatës Norvegjeze më 7 gusht.

Çështja e parë lidhet me krijimin dhe dhënien e “FIFA Peace Prize” për presidentin amerikan Donald Trump. Federata kërkon të sqarohet nëse mënyra e krijimit dhe dhënies së çmimit respektoi detyrimin e FIFA-s për neutralitet politik dhe nëse Këshilli i FIFA-s duhej të ishte përfshirë në proces.

Reklamë Ola

Çështja e dytë lidhet me rastin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun gjatë Botërorit 2026. Norvegjia kërkon të hetohet nëse faktorë të jashtëm apo ndërhyrje politike kanë ndikuar në procesin disiplinor që çoi në pezullimin e një dënimi automatik dhe lejimin e tij për të luajtur.

Dosja e tretë ka në fokus projektin FIFA Forward Enterprise, i cili parashikonte një ristrukturim të të drejtave komerciale të FIFA-s dhe mundësinë që investitorë privatë të merrnin pjesë minoritare në disa prej kompeticioneve të saj. Federata Norvegjeze kërkon të sqarohet se si projekti avancoi pa përfshirjen e dukshme të Këshillit të FIFA-s dhe çfarë kontaktesh pati drejtuesit e organizatës me investitorët e mundshëm.

Reklamë InterMedika

Projekti FFE u tërhoq në fund të korrikut, pasi FIFA pranoi se propozimi kishte krijuar ndarje të forta mes federatave anëtare. Vetë Infantino kishte argumentuar më herët se nisma synonte rritjen e të ardhurave dhe investimeve për zhvillimin e futbollit.

Presidentja e Federatës Norvegjeze, Lise Klaveness, tha se qëllimi i ankesave nuk është të paragjykojë rezultatin, por të përcaktojë faktet dhe të verifikojë nëse janë respektuar rregullat e brendshme të FIFA-s.

“Futbolli varet nga besimi te institucionet e tij. Kur lindin pyetje serioze, ato duhet të hetohen në mënyrë të pavarur dhe transparente”, deklaroi Klaveness.

Federata kërkon që Komiteti i Etikës të vlerësojë nëse Infantino ose zyrtarë të tjerë kanë shkelur Kodin e Etikës, ndërsa organi i qeverisjes do të shqyrtojë nëse kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e mbikëqyrjes kanë funksionuar siç duhet.

FIFA, nga ana e saj, ka deklaruar se Infantino i është përgjigjur më herët shqetësimeve të ngritura nga federatat dhe se këto çështje pritet të diskutohen edhe në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s më 15 tetor në Zyrih.