Deputeti i Partisë Socialiste dhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka sqaruar ecurinë e procesit të Reformës së Administrimit Territorial 2.0, duke deklaruar se ajo nuk ka qenë një nismë e papritur, por pjesë e programit politik të PS-së dhe më pas e programit qeverisës.
“Reforma e Administrimit Territorial 2.0 është një element që ka qenë pjesë e programit të Partisë Socialiste dhe më pas pjesë e programit qeverisës”, deklaroi Mazniku.
Sipas tij, edhe opozita ka qenë në dijeni të këtij objektivi që përpara zgjedhjeve dhe procesi ishte konceptuar që në fillim si një reformë që do të zhvillohej me pjesëmarrjen e të dyja palëve politike.
Mazniku theksoi se opozitës iu garantua gjysma e anëtarëve të komisionit dhe bashkëkryesia, pikërisht për të siguruar një proces më gjithëpërfshirës.
Ai ia atribuoi një pjesë të vonesave mungesës së opozitës gjatë muajve të parë të funksionimit të komisionit.
“Nga 275 ditë që ishte mandati i komisionit, 120 ditët e para komisioni nuk arriti të mblidhej sepse opozita nuk mori pjesë”, tha ai.
Sipas Maznikut, pa praninë e opozitës nuk ishte e mundur të zhvilloheshin mbledhjet dhe të miratohej rendi i ditës, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e kohës në dispozicion të humbiste.
Ai tha se mazhoranca kishte ofruar një sërë garancish për bashkëpunim, por kur u bë e qartë se procesi nuk do të vijonte në të njëjtën formë me opozitën, shumica u përball me zgjedhjen mes ndërprerjes së reformës dhe avancimit të pjesëve që mund të realizoheshin brenda afatit.
“Ne u gjendëm përballë dy zgjedhjeve: ose reforma të dështonte, ose të bënim atë që ishte e mundur brenda kuadrit që kishim”, deklaroi Mazniku.
Bashkëkryetari i komisionit shpjegoi se afërsia e zgjedhjeve vendore të vitit 2027 ndikoi drejtpërdrejt në vendimmarrjen për të përqendruar punën fillimisht te elementi territorial.
Sipas tij, pjesa tjetër e reformës do të kërkojë më shumë kohë dhe do të fokusohet te decentralizimi, funksionet e pushtetit vendor, mekanizmat e financimit dhe mënyra se si mund të përmirësohet funksionimi i bashkive.
“Vendimi ynë ishte të blinim kohë, të paktën edhe një vit tjetër, për të trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me mekanizmat e decentralizimit, funksionet e pushtetit vendor, mekanizmat e financimit dhe mënyrën se si mund të funksionojnë më mirë bashkitë”, tha Mazniku.
Ai shtoi se objektivi përfundimtar i reformës mbetet forcimi i pushtetit vendor dhe rritja e kapaciteteve financiare dhe administrative të bashkive, në mënyrë që ato të ofrojnë shërbime më efikase për qytetarët.


