Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të zhvillojë nga 5 deri më 8 tetor një tur diplomatik në Islandë, Greqi dhe Portugali, me fokus sigurinë, mbrojtjen, energjinë, bashkëpunimin ekonomik dhe teknologjinë.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, vizita zhvillohet në një moment kur aleatët e NATO-s po përballen me shqetësime të shtuara për aktivitetin ushtarak rus, sigurinë e infrastrukturës kritike dhe paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.
Ndalesa e parë e Rubios do të jetë Rejkjaviku, ku ai pritet të diskutojë me autoritetet islandeze për sigurinë në Arktik, mbrojtjen e Atlantikut të Veriut dhe bashkëpunimin ekonomik.
Islanda nuk ka ushtri të përhershme, por luan një rol të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë së NATO-s për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe bazës ajrore Keflavik. Në fokus pritet të jetë edhe mbrojtja e infrastrukturës nënujore dhe kabllove të telekomunikacionit që lidhin Evropën me Amerikën e Veriut.
Më pas, Rubio do të udhëtojë drejt Athinës, ku më 6 dhe 7 tetor do të drejtojë delegacionin amerikan në Dialogun e gjashtë Strategjik SHBA-Greqi.
Në agjendë janë bashkëpunimi në mbrojtje, energjia, siguria rajonale, lufta në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Dialogu Strategjik SHBA-Greqi, i nisur në vitin 2018, është kthyer në një nga mekanizmat kryesorë të bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe energjisë.
Ndalesa e fundit e sekretarit amerikan të Shtetit do të jetë Lisbona. Atje, bisedimet do të përqendrohen në mbrojtje, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin teknologjik.
Portugalia ka një rëndësi të veçantë strategjike për Shtetet e Bashkuara përmes Ishujve Azore, ku baza ajrore Lajes shërben prej dekadash si pikë logjistike dhe furnizimi për operacionet amerikane në Atlantik.
Turi i Rubios pasqyron rëndësinë e tre vendeve në zona të ndryshme të sigurisë euroatlantike: Islanda në Arktik dhe Atlantikun e Veriut, Greqia në Mesdheun Lindor dhe Portugalia në boshtin transatlantik.


